Vendosni fjalën kyçe....

“Bëj siç them unë, por mos bëj siç bëj unë”- Nancy Pelosi në sallon bukurie edhe kur kjo ndalohet (VIDEO)


“Bëj siç them unë, por mos bëj siç bëj unë”, kjo duket të jetë politika që ndjek një nga demokratet më të fuqishme të SHBA-së, Nancy Pelosi.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, e cila e ka qortuar vazhdimisht presidentin Donald Trump për mos mbajtjen e maskës, është filmuar vetë duke mos e mbajtur një të tillë në një sallon bukurie në San Francisco. Jo vetëm kaq, por sipas masave të vendosura në Kaliforni për koronavirusin, këto biznese duhet të qëndrojnë të mbyllura.

Pamjet e Publikuara nga “Fox News” tregojnë Pelosin brenda sallonit të bukurisë të hënën, duke thyer rregullat e qytetit të vendosura për koronavirusin, në një kohë kur vetë ka mbështetur politikat për mbylljen e ekonomisë në SHBA.  Një stilist, i cili kishte veshur një maskë, shihej duke e ndjekur atë.


Në San Francisco (Kaliforni) nuk lejohet që parukeritë të kryejnë aktivitet brenda. Madje parukeritë në natyrë, u lejuan në Kaliforni duke nisur nga e marta, sipas rregullave të reja të shpallura nga kryebashkiaku, por sallonet brenda mbeten të mbyllura.

Një zëdhënës i Pelosit tha se ajo nuk e kishte kuptuar që po shkel rregullat e qytetit të saj për parandalimin e virusit, kur shkoi të rregullonte flokët në sallonin e bukurisë.

“Ky biznes i ofroi kryetares që të vinte të hënën dhe i tha asaj se ata ishin të lejuar nga qyteti të kishin një klient në biznes”- tha zëdhënësi Drew Hammill në një deklaratë, citon BBC. “Kryetarja u pajtua me rregullat siç i janë paraqitur asaj nga ky institucion.”

Republikanët e kanë quajtur Pelosin hipokrite, pikërisht për shkak se ajo i ka sulmuar vazhdimisht duke kërkuar forcim të masave për koronavirusin.

“Kryetarja Pelosi ka shtyrë politikat që do të mbanin ekonominë tonë të mbyllur dhe bizneset tona të vogla të mbyllura. Por për veten e saj? Një vizitë në sallon sa herë që ajo dëshiron.”– ishte një nga komentet.

Zonja Pelosi e ka kritikuar vazhdimisht presidentin Trump për mos vendosjen e maskës duke e quajtur atë një “frikacak” dhe duke thënë: “Burrat e vërtetë mbajnë maska”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *