Kreu i koalicionit “Bardhë e Zi”, Dritan Abazoviç ka deklaruar se nëse në rend dite të qeverisë së ardhshme malazeze do të vihet tërheqja e njohjes së Kosovës, ai do të jetë kundër.
Abazoviç ka folur në një intervistë për gazetën serbe “Kurir” pas kryesimit të zgjedhjeve në Malin e Zi.
Ai tha që pret një marrëveshje nga Kosova dhe Serbia në të ardhmen.
“Natyrisht se do të jemi kundër dhe mendoj se kjo pyetje as që do të vihet në rend dite, pasi që është çështje e e kryer, nuk duhet kthyer në të kaluarën. Madje pres që Beogradi dhe Prishtina të gjejnë gjuhë të përbashkët në të ardhmen e afërt dhe të merren vesh me qëllim të uljes së tensioneve dhe mundësimit të procesit të pajtimit. Paqja nuk ka çmim. Të gjithë këtu e duan paqen. Do të tentojnë të shkaktojnë incidente në të gjitha mënyrat. Mali i Zi në Bashkimin Evropian, të ketë pajtim dhe standard më të lartë jetese sesa tani. Jam i sigurt se ajo ëndërr mund të bëhet e vërtetë”,- deklaroi politikani.
I pyetur se çfarë do bëjë ndryshe në krahasim me ata që kanë qeverisur deri më tani në Mal të Zi, Abazoviç është shprehur: “Qëllimi është të jemi të ndryshëm në gjithçka. Të punojmë në interes të qytetarëve, të mos jemi arrogantë, të mos jemi shpërdorues, të mos përkushtohemi në interesin personal, të jemi më profesionalë, më efikasë. Të jemi pajtues ndaj të gjitha bashkësive fetare, të jemi të ndryshëm në gjithçka.”