Katërmbëdhjetë njerëz do të gjykohen në Francë për sulmin vdekjeprurës ndaj revistës satirike “Charlie Hebdo”, ngjarje e ndodhur më shumë se pesë vjet më parë.
Shumica e bashkëpunëtorëve të dyshuar do të dalin para gjyqit në Paris këtë të mërkurë shkruan BBC, por tre prej tyre do të gjykohen në mungesë pasi janë zhdukur në Sirinë Veriore dhe në Irak.
Grupi prej 14 personash akuzohen se kanë ndihmuar sulmuesit militantë islamikë, që qëlluan për vdekje 12 personat që ndodheshin brenda apo pranë zyrave të Charlie Hebdo në janar të vitit 2015.
Një i armatosur tjetër qëlloi për vdekje një polic dhe sulmoi një supermarket hebre.
Në total, 17 njerëz u vranë në një periudhë prej vetëm tre ditësh. Këto vrasje shënuan fillimin e një vale sulmesh xhihadiste në të gjithë Francën që la më shumë se 250 njerëz të vdekur.
Në ditët pas sulmeve, miliona njerëz morën pjesë në marshime solidariteti në të gjithë Francën dhe nëpër botë, nën parullën “Je suis Charlie”, që në shqip përkthehet “Unë jam Charlie”.
Revista franceze e ka shënuar fillimin e gjyqit duke ribotuar karikaturat e diskutueshme të Profetit Muhamed që nxitën protesta në disa vende myslimane. Presidenti Emmanuel Macron mbrojti lirinë e shtypit dhe francezët “lirinë e blasfemimit, e cila lidhet me lirinë e ndërgjegjes”.