Vendosni fjalën kyçe....

Meta komenton deklaratën e Kim: Vetëm zgjedhjet e lira mund të pastrojnë politikën



Pasi mbajti një fjalë përshëndetëse në Konferencën Shkencore për Luftën e Vlorës, presidenti Ilir Meta doli në një deklaratë për mediat ku foli për çështjet aktuale.

I pyetur nga gazetarët, Meta komentoi deklaratën e ambasadores Yuri Kim për t’u bërë Vetting të gjithë kandidatëve për deputet, foli për datën e zgjedhjeve dhe për çështjen e detit.

“Kalojmë nga Lufta e Vlorës tek KQZ-ja. Këto gjërat e KQZ-së më duken më të vogla, që nëse ka vullnet mund të zgjidhen shumë thjesht. Nëse ka vullnet për zgjedhje të lira dhe demokratike, nuk shoh asnjë arsye pse nuk mund të zgjidhen.
Nëse ka vullnet për të respektuar marrëveshjen e 5 qershorit, nuk shikoj asnjë problem, këto të gjitha pastaj janë detaje. Nëse nuk ka vullnet për këtë flasim ditë tjetër jo sot.
Nuk mund të them gjë sepse më duhet të dëgjoj përfaqësuesit e forcave politike dhe pastaj mund të flasim me siguri. Kam kërkuar takime me gjithë përfaqësuesit e forcave parlamentare, më pas do kemi vlerësimin përfundimtar.”– tha Meta, i pyetur për datën e zgjedhjeve dhe mosmarrëveshjet për KQZ-në.

Ndërsa lidhur me komentet e ambasadores Kim, Meta tha: “Mendoj që ka ardhur koha që përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të pastrohet gjithçka në vendin tonë dhe të kemi institucionedemokratike e legjitime.

Vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme mund të pastrojnë politikën nga elementë kriminalë që për interesa grupesh të ndryshme kërkojnë të mbajnë peng funksionimin e shtetit ligjor”.

Në fund, gazetarët e pyetën për çështjen e marrëveshjes për detin me Greqinë dhe ai tha se për këtë do mbajë vetëm qëndrim kushtetues dhe shtetëror ndërsa i fton të gjithë të mos bëjnë deklarata të pamenduara që mund të përdoren më vonë kundër tyre dhe kundër Shqipërisë.

“Për këtë çështje që ju ngritët mendoj se sjellja ime ka qenë dhe do jetë gjithmonë vetëm shtetëore, kushtetuese dhe e përgjegjshme. Dhe i ftoj të gjithë të jenë të kujdesshëm me sjelljen e tyre në publik, që qoftë edhe padashje të mos bëjnë deklarata që mund të përdoren nesër në dëm të Shqipërisë.”– tha Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *