Politika e kuptuar në sensin e “menaxhimit” të njerëzve si numra gjithnjë ka në sfond një ide totalitare për të qenë në shërbim të vetvetes dhe privilegjeve të pushtetit. Në këto raste “lulëzojnë” oligarkitë dhe gjithnjë mbetet e pranishme piramida e përmbysur e vlerave. Për këtë shkak vetëm të dëgjueshmit partiak janë në “majat” e institucioneve dhe kurdoherë të gatshëm të “ripërsërisin” pamfletet partiake në emër të politikës. Politika e kuptuar ngushtësisht përmes kësaj optike mbetet provinciale dhe e getoizuar në forma të shpërfytyruara interesash klanore.
Autor: Bardhyl Zaimi
Politika mbetet një korridor i pështjelluar dhe i pashpresë njëjtë si te “Procesi” i Kafkës. Me vite në Maqedoni, politika ka funksionuar korridoreve, duke ia zënë frymën jetës institucionale, gjegjësisht funksionimit normal të institucioneve.
Nga majat e Olimpit politik është dirigjuar çdo gjë në jetën publike dhe në të shumtën e rasteve janë servuar zgjidhje për qytetarët pa ndonjë debat të qenësishëm dhe pa dijen e nevojshme mbi situatat, të cilat vazhdimisht kanë prodhuar ngërçe institucionale.
Gjatë kohë në Maqedoni ka një perceptim grotesk mbi politikën si një “lojë” që luhet diku prapa perdeve të opinionit. Në librin e tij, “Fundi i pasionit politik” eseisti nga Barcelona, Josep Ramoneda, paralajmëron fundin fatal të politikës, duke iu bërë autopsinë gjithë keqkuptimeve që shfaqen mbi nocionin “politikë”, por edhe duke rikthyer në vëmendjen e opinionit kuptimin autentik të politikës si një hapësirë jetike të lirisë dhe vetërealizimit qytetar.
Mes tjerash, ky autor, me shumë inteligjencë vë në dukje se është krijuar një perceptim i mbrapshtë që prapa perdeve të politikës ndodhen do super-njerëz, të vetmit të denjë që të merren me fatet e njerëzve të tjerë. Pikërisht, ky perceptim autoritar krijon nga politika një zonë të errët të paprekshme ku realisht ndodhin të gjitha fatalitet që ndërlidhen me jetën demokratike, që ndërlidhen me gjithë atë që nënkupton debatin e pandëprerë ashtu siç definohet politika në teoritë moderne.
Prapa perdeve të politikës, thotë Ramoneda, ndodhen njerëz si ne dhe nuk ka asgjë misterioze. Gjatë kohë në sferën publike kemi një lloj mistifikimi të politikës, që në esencë synon pushtetin pa dhënë llogari përpara qytetarëve që votojnë.
Ky lloj i politikës e sajon këtë perde me qytetarët, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të mistifikojë ekzistencën e vetë, që në esencë do të thotë keqpërdorim i vullnetit të qytetarëve, pa bërë shumë pyetje mbi mënyrën se si pulson jeta e tyre.
Kjo paraqet një lloj shpërfytyrimi të nocionit politikë, që realisht është shumë më tepër se sa një parti, më tepër se një grup njerëzish dhe më tepër se një lojë “matrushkash” në hapësirën publike. Nëse nuk kemi se për çfarë të debatojmë, thotë Ramoneda, atëherë na mbetet vetëm të administrojmë. Pikërisht, kjo logjikë do të thotë fund për pasionin politik, që në fakt kërkon të zgjerojë hapësirat e lirisë.
Politika e kuptuar në sensin e “menaxhimit” të njerëzve si numra gjithnjë ka në sfond një ide totalitare për të qenë në shërbim të vetvetes dhe privilegjeve të pushtetit. Në këto raste “lulëzojnë” oligarkitë dhe gjithnjë mbetet e pranishme piramida e përmbysur e vlerave.
Për këtë shkak vetëm të dëgjueshmit partiak janë në “majat” e institucioneve dhe kurdoherë të gatshëm të “ripërsërisin” pamfletet partiake në emër të politikës. Politika e kuptuar ngushtësisht përmes kësaj optike mbetet provinciale dhe e getoizuar në forma të shpërfytyruara interesash klanore.
Por, historia njerëzore gjithnjë njeh kundërvënien dhe hapjen e horizonteve të reja përkundër eklipseve që i krijon shfytyrimi i nocionit politikë.
Një autor tjetër që e deshifron këtë lojë fatale të gjoja politikës është, disidenti hungarez, shkrimtari dhe eseisti, Georg Konrad, i cili në librin e tij “Antipolitika” e kthen vëmendjen kah “këndvështrimi i viktimës” si një mundësi për t’iu kundërvënë politikës totalitare të regjimit komunist.
“Antipolitika” e Konradit nuk është apolitikë, përkundrazi është një angazhim politik i ndryshëm, që në epiqendër e vendosë individin, personalitetin e tij dhe në fakt është një lloj “polisi paralel” që i kundërvihet mistifikimit ideologjik. “Antipolitika” e Konradit nuk është apati, por as edhe anarki ose ndonjë lloj shfaqjeje tjetër ekstreme.
Përkundrazi “antipolitika” e tij është botëshikim tjetër, shumë më i gjerë dhe më thelbësor mbi shoqërinë. Një shikim personal i botës, pa ngarkesat ideologjike, një vëtëmbrojtje nëpërmjet shoqërisë civile. Në fakt ky shikim “antipolitikë” në esencë e zhbllokon shoqërinë civile dhe gjithë shpresën për ndryshim e vendosë pikërisht në një pjesëmarrje sa më të gjerë të shoqërisë civile në jetën publike si një kundërpeshë ndaj politikave abuzuese shtetërore.
“ Antipolitika” e përjashton çdo retorikë revolucionare dhe në epiqendër e vendosë lirinë dhe një botëshikim tjetër mbi gjithë atë që përfaqëson politika. Për më tepër kjo filozofi nënkupton një nismë kulturore, një kontekst kulturor që i përjashton skemat e paravendosura nga politika e kuptuar si program fuqie dhe dominimi.
Tashmë është thënë se përgjithësisht disidentët e Europës qendrore e ringjallën nocionin e qytetarësisë aktive dhe e lehtësuan gradualisht zhvillimin e asaj që njihet si “shoqëri civile”, e cila mohon konformizmin mbytës të sistemit dhe afirmon tolerancën, individualitetin dhe pluralizmin.
“Antipolitika” performon pikërisht këto realitete të domosdoshme, këtë liri qytetare, duke e zhvendosur nga retorikat dhe praktikat frymëzënëse shtetërore në pluralitetin shoqëror. “Antipolitika” kundërshton “kulturën” e nënshtrimit dhe afirmon kulturën e pjesëmarrjes dhe sistemin e vlerave.
Antipolitika kërkon që shoqëria civile të marrë kontrollin e plotë mbi ingerencat e shtetit, posaçërisht mbi aparatin represiv të saj, ajo kërkon njerëz të lirë dhe jo ushtarë partiak që nuk dinë të mendojnë.
Pikërisht, në këtë kontekst, duket i domosdoshëm shikimi antipolitik i gjërave, në kohën kur politika e kuptuar si diktat kërkon që nga qytetarët të krijojë ushtarë partiakë ose një lloj “ketmani” ideologjik të trajtuar gjithashtu nga një disident tjetër polak, nobelisti Çesllav Millosh.
Në Maqedoni gjithë përvojat më të mira që përkojnë me një botëshikim tjetër të realiteteve shtetërore dhe shoqërore kanë ardhur nga shoqëria civile. Një botëshikim antipolitik gjithnjë mbetet i nevojshëm si një kundërvënie ndaj uzurpimeve që tashmë jemi mësuar t’i shohim nga politika.
Antipolitika e kuptuar si liri dhe aktvizëm qytetar mbetet një kundërpeshë e domosdoshme për të zgjeruar hapësirat e perceptimit politik, por edhe për të krijuar një ambient të përhershëm debati mbi zgjatimet e shfytyruara që veprojnë në emër të politikës në të gjitha nivelet e jetës institucionale.
Një sistem i rrënuar vlerash nuk mund të ringritët pa këtë botëshikim aktiv qytetar që shkon në kahje të kundërt me perceptimet e gabuara dhe të degjeneruara të nocionit politikë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e KDPolitik.com
*Shënim: Nga sot, Hashtag.al nis një bashkëpunim mediatik ndërshqiptar me medien Kdpolitik.com me qendër në Maqedoninë e Veriut. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është shkëmbimi i përvojave dhe i shkrimeve për një këndvështrim ndryshe të çështjeve që prekin e shqetësojnë shqiptarët.