Greqia do përshpejtojë procedurat e delimitimit të zonave detare me Shqipërinë.
Sipas To Vima-s, kjo bëhet për t’i çuar një mesazh të qartë Ankarasë, pas përplasjeve të fundit në Mesdheun lindor e detin Egje.
Media greke raporton se ministri i Jashtëm, Dendias do vizitoë Tiranën së shpejti edhe pse nuk është përcaktuar ende ndonjë datë.
Baza e bisedimeve mes palëve pritet të jetë marrëveshja e vitit 2009.
Shkrimi i plotë i To Vima-s
Qeveria po shpejton procedurat për një marrëveshje përcaktimi të Zonës Ekskluzive Ekonomike me Shqipërinë, duke vazhduar kundërsulmin diplomatik që ka çuar tashmë në krijimin e zonave detare të Greqisë me Italinë dhe Egjiptin.
Sipas informacionit, ministri i Jashtëm Nikos Dendias së shpejti do të vizitojë Tiranën për bisedime, por ende nuk është caktuar ndonjë datë. Kanalet me qeverinë shqiptare, megjithatë, janë të hapura dhe ka shumë të ngjarë që vizita në Tiranë do nisë pas kthimit të ministrit Dendias nga Nju Jorku, ku ai do takohet të premten me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Gutierrez.
Në debatin e fundit në Parlament mbi ratifikimin e marrëveshjeve për zonat detare me Italinë dhe Egjiptin, kryeministri dhe ministri i Jashtëm informuan deputetët se plani i Athinës është të rinisë bisedimet me qeverinë shqiptare për një zgjidhje përfundimtare të shënjimit të zonave detare.
Nikos Dendias tashmë ka bërë një bisedë telefonike me kryeministrin shqiptar Edi Rama, me të cilin u ra dakord për të rinisur ‘bisedimet së shpejti, pas zgjerimit të ujërave territoriale greke në detin Jon, për të zgjidhur çështjen e zonave tona detare me Shqipërinë’. Tregues i klimës që po formohet është reagimi pozitiv i ministrit të Jashtëm shqiptar ndaj njoftimit paraprak të Kyriakos Mitsotakis-it për shtrirjen e ujërave territoriale në detin Jon nga 6 në 12 milje.
Në fakt, për shkak të krizës Greko-Turke, por edhe sepse marrëveshjet me Italinë dhe Egjiptin kishin përparësi dhe nuk ishin ratifikuar nga Parlamenti, bisedimet midis Athinës dhe Shqipërisë nuk mund të fillonin në gusht.
Megjithatë, qëllimi i qeverisë greke nuk është të vonojë dialogun me Shqipërinë për çështjen e ZEE-së, duke synuar në dy drejtime: Nga njëra anë, për të përfunduar konsultimet me Tiranën së shpejti dhe për të nënshkruar marrëveshjen përkatëse, në kontekstin e zgjidhjes që ka të bëjë me të drejtat sovrane të Greqisë. Nga ana tjetër, sepse në një kohë kur Turqia po provokon dhe shkel ligjin ndërkombëtar, Athina dëshiron të dërgojë mesazhin në Ankara se po diskuton dhe po arrin marrëveshje me vendet fqinje, bazuar në Konventën për Ligjin e Detit.
Mesazh Turqisë
Por sigurisht që nuk është vetëm kjo. Në vitet e fundit, Turqia është përpjekur të ushtrojë ndikim në Ballkan – dhe në Shqipëri – dhe si pasojë, ndryshimet kronike të Greqisë dhe problemet me vendet fqinje i shërbejnë politikës turke. Gjithashtu nuk duhet harruar që në fillim të verës, Admirali turk në pension, Cihat Yaici kishte pohuar në një intervistë se Turqia ishte ajo që kishte prishur marrëveshjen Athinë-Tiranë të vitit 2009 për shenjimin e zonave të detit. Me fjalë të tjera, Yaici thelbësisht zbuloi se Turqia ndërhyri, duke paralajmëruar shqiptarët se Greqia po i mashtronte, me rezultat që marrëveshja të anulohej.
Bazuar në marrëveshjen e vitit 2009. Greqia dhe Shqipëria kishin nënshkruar një marrëveshje mbi caktimin e zonave detare në prill 2009, me ministren e Jashtme Dora Bakojanis dhe kryeministrin Kostas Karamanlis. Firmat u hodhën, por në verën e të njëjtit vit marrëveshja u anulua.
Opozita e atëhershme shqiptare (partia e Edi Ramës) e kishte dërguar marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, ku përfundimisht u anulua. Megjithatë, klima tani është krejtësisht e ndryshme.
Vlerësohet se bisedimet midis të dy palëve mund të zgjasin pak kohë, por tani ato nuk do të fillojnë nga e para, pasi baza për bisedimet e reja është marrëveshja e vitit 2009.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e To Vima