Albana Vokshi dhe Gent Strazimiri kanë vizituar sot mësues, prindër dhe nxënës në fshatrat Lalëz, Likmetaj dhe Gjuricaj në Durrës.
Gjatë bashkëbisedimit, përfaqësuesit e PD-së arritën në përundimin se në Njësinë Administrative Ishëm, shkollat nuk janë gati për të pritur nxënësit me kushtet e përcaktuara nga protokolli i sigurisë, edhe pse vetëm pak ditë na ndajnë nga nisja e vitit të ri shkollor.
Sipas tyre, në këtë zonë, fëmijët do të nisin një vit të vështirë mësimor pasi shkollat e dëmtuara nga tërmeti i vitit të shkuar nuk janë rindërtuar ashtu siç kishte premtuar Edi Rama dhe qeveria e tij.
Në fshatin Lalëz e vetmja shkollë funksionale do të presë të gjithë ciklet e klasave nga fëmijët e kopshteve deri tek nxënësit e gjimnazit pasi shkolla tjetër është dëmtuar plotësisht nga tërmeti.
Ish-drejtori i kësaj shkolle, por edhe prindër e nxënës i thanë përfaqësuesve të PD-së se shkolla nuk plotëson dot kushtet e sigurisë pasi do të duhet të përballojë një numër të madh nxënësish ndërsa kapaciteti i saj është i vogël.
“Problemi më i madh i kësaj shkolle përveç ngarkesës dhe infrastrukturës së amortizuar nuk ka asnjë kusht higjeno-sanitar pasi tualeti është tërësisht jofunksional. Në një tjetër fshat të kësaj njësie, Likmetaj, shkolla ka dalë jashtë funksioni dhe fëmijët duhet të ecin kilometra të tëra për të shkuar në një shkollë tjetër ku do të mësojnë me turne pasi shkolla që duhej të rindërtohej për vitin e ri, nuk do të jetë gati për vitin e ri.”– thuhet në njoftimin e PD-së.
Prindërit u kanë treguar përfaqësuesve të PD-së, se një tjetër problem i tyre është edhe transporti pasi përveç fondit që ka vënë drejtoria arsimore duhet të paguajnë edhe vetë për të përballuar këtë aspekt.
Ndërkohë, mësimi online është i pamundur për banorët e kësaj zonë pasi ende jetojnë në çadra për shkak se shtëpitë e tyre janë dëmtuar nga tërmeti dhe jetojnë në kushte të vështira.
Një prej prindërve tha se edhe gjatë kohës së izolimit, mësimi online ka qenë formal pasi nuk ka qenë aspak e mundur të kryhej procesi mësimor online nga kushtet e vështira në të cilat ata jetojnë.
Situata e ngjashme u konstatua edhe në Gjuriçaj, ku shkolla edhe pse ka nisur të rindërtohet nuk do të jetë gati as për fillimin e vitit por ndoshta as për një kohë të gjatë. Prindërit i thanë zonjës Vokshi dhe zotit Strazimiri se askush nuk u ka thënë se si do të zhvillohet mësimi.
Banorët shprehen se nuk kanë asnjë informacion se si do të organizohet procesi mësimor në kushtet e pandemisë.