BDI në përgjithësi e Ali Ahmeti në veçanti, në zgjedhjet që lamë pas, ishin tabelë qitjeje e, pa përjashtim, të gjitha partive politike. Maqedonase dhe shqiptare. Oponentët thanë e ç’nuk u thanë, me goditje të përqëndruara e të mirorkestruara, madje dhe me ndonjë mbështetje nga Jashtë. Fundin e dimë. E pranuam ose jo: Fitorja u takoi integristëve e Ali Ahmetit, në veçanti!
Autor: Seladin Xhezairi
Tash kur loja ka marrë fund, më duhet të ndaj një përshtypje pas Klan Debateve, nga emisioni im në Klan, me prijësit e të gjitha partive që matën forcat më 15 korrik: Vetëm Zaevi dhe Ahmeti, edhe ‘prapa perdeve’ të linin me mbresën se dalin për të fituar! I pari madje parashikonte me ‘urtësi’ përcjelljen e të dytit – në opozitë! Nejse, verdikti ishte ky që është: Në gjykimin tim, Bashkimi Demokratik për Integrim e në veçanti Ali Ahmeti, dolën fituesit që vulosën ekzekutivin e ri! Të gjitha matematikë-aritmetikat e tjera do ta vënin në pikëpyetje karakterin demokratik të zgjedhjeve, një hesap ky që nuk është se s’ishte në tavolinën e socialdemokratëve fitues dhe të opozitarëve shqiptarë të cilët nuk është se, kësaj here, nuk i konsoliduan radhët e veta.
Prandaj, figurativisht, zgjedhjet ishin një lojë e mirë shahu ku Ahmeti luajti më së miri dhe ia doli të mbajë fronin e të parit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Madje, realisht, pozicioni përfaqësues të cilin e negocioi me partnerin maqedonas mbase, jo mbase, por është më i forti që deri tash ka pasur ndonjë parti shqiptare këtu: një rol drejtues në leva tepër të ndjeshme e të fuqishme të pushtetit që, si të tilla, me automatizëm e çojnë më lartë përgjegjësinë e kësaj partie shqiptare për shkak se nesër nuk do mund të arsyetohet në stilin ‘jemi përgjegjës për aq sa kemi pasur pushtet’!
Dy fjalë edhe për ata që humbën: Të investosh shumë e të mos marrësh atë që synon, e pranoj, nuk është diçka që gëlltitet lehtë! Kjo për shkak se po të rishfletojmë qasjet parazgjedhore del me tamam ajo e njohura: nga e thëna në të bërë – një det i tërë! Politika, thonë, është një maratonë dhe këtij vrapi nuk i dilet në fund, pa vullnet e durim, ndaj duhet marrë me karar se në të kundërtën – bën zarar!
PS
Në fjalorin e shqipes, fjala shah ka këto shpjegime:
• 1. Lojë me prejardhje nga vendet e Lindjes, që luhet ndërmjet dy vetave në një dërrasë të ndarë në gjashtëdhjetë e katër katrorë të vegjël dhe me tridhjetë e dy figura (gjashtëmbëdhjetë të bardha e gjashtëmbëdhjetë të zeza), të cilat kanë vlera të ndryshme dhe vendosen e lëvizin sipas disa rregullash të caktuara; fusha dhe figurat e kësaj loje. Loja e shahut. Kampionati i shahut. Fushë (dërrasë, gur) shahu. E mundi në shah.
• 2. Gjendja në këtë lojë, kur figura e mbretit është sulmuar drejtpërdrejt nga një figurë kundërshtare; sulm i drejtpërdrejtë me një figurë mbi mbretin e kundërshtarit. Shah i përhershëm. Shah – mat. Shah me kalë. I jap shah. Jam shah.
• Gur shahu dikush që vepron sipas dëshirave të një tjetri.
SHAH II m.
• Titulli që mbanin mbretërit në disa vende të Lindjes (si në Iran etj.); ai që mbante këtë titull.
SHAH ndajf.
• 1. Duke qëndruar vetëm mbi këmbët e prapme, arithi, qirithi (për kafshët si kali, ariu etj.); drejt përpjetë (për sendet); shahthi. Shah përpjetë. U ngrit shah. Shkopi qëndroi shah.
• 2. Shtang. Mbeti shah.
• 3. fig. Vetëm, pa njeri, shkretë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e KDPolitik.com
*Shënim: Nga sot, Hashtag.al nis një bashkëpunim mediatik ndërshqiptar me medien Kdpolitik.com me qendër në Maqedoninë e Veriut. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është shkëmbimi i përvojave dhe i shkrimeve për një këndvështrim ndryshe të çështjeve që prekin e shqetësojnë shqiptarët.