Guvernatori i New York-ut, Andrew Cuomo, ka kërcënuar presidentin Donald Trump, pasi ky i fundit tha se do të tërhiqte fondet nga qytetet që lejojnë ende anarkinë.
Cuomo tha se presidentit amerikan do t’i duhej një “ushtri” për të ecur në mënyrë të sigurt rrugëve të New Yorkut.
Guvernatori thirri një konferencë për shtyp emergjente të mërkurën në mbrëmje për të kundërshtuar urdhrin e presidentit Trump, i cili kërkoi një rishikim të “përdorimit të fondeve federale nga juridiksionet që lejojnë anarkinë, dhunën dhe shkatërrimin në qytetet e Amerikës”.
Në 7 minuta që Cuomo foli pa pushim, dukej se bëri një kërcënim ndaj Trump-it.
“Ai nuk mund të ketë truproja të mjaftueshëm për të ecur nëpër New York City,” u tha Cuomo gazetarëve. “Harrojini truprojat, ai më mirë të ketë një ushtri nëse mendon se do të ecë i lirë nëpër rrugët e Nju Jorkut. Njujorkezët nuk duan të kenë të bëjnë asgjë me të.
Për sa i përket kësaj deklarate se ai do të ndalojë financimin e New York City – ai nuk është një mbret. Ai mendon se është një mbret por nuk është kështu. Ai është një president.”– tha Cuomo.
Më pas, duke kuptuar se deklaratat e tij mund të merreshin si një kërcënim, Cuomo u përpoq t’i zbuste duke shtuar:
“Gjithçka që po them është se ai është persona non grata në New York City … Kjo ishte ajo që doja të thoja për truprojat. ”
Pas këtyre deklaratave, Cuomo mori mjaft kritika në rrjet. Të shumtë ishin ata që i kujtuan se Trump e kishte aktualisht një ushtri të tillë në New York, që është Departamenti i Policisë së New York-it, FBI, Shërbimi Sekret dhe DOJ.