Ndërsa Rudina Hajdari ftonte dje të rinjtë në një tur bashkëbisedimi, duke hedhur hapa drejt krijimit të partisë së re, deputeti tjetër Myslim Murrizi e ka zyrtarizuar atë.
Ai ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook logon e partisë së re, me të cilën pritet të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2021.
Siç tregon postimi i Murrizit, Lëvizja Demokratike Shqiptare është emri i partisë së re që disa prej deputetëve të opozitës parlamentare kanë lançuar pak kohë më parë.
Deputetja Rudina Hajdari e ka lajmëruar edhe më herët se në shtator do shpallte nismën e saj për të krijuar një formacion të ri politik.
Po ditën e djeshme, deputeti Halit Valteri foli për partinë e re në një intervistë, duke thënë se do jetë bashkë me Rudina Hajdarin dhe Myslim Murrizin në një parti dhe se në zgjedhjet e ardhshme do të fitojnë 20 deputetë.
“Ne kemi qenë një grupim deputetësh, por si çdo grupim ka mendimet e tyre, s’kemi qenë një parti që ka pasur një kryetar. Sot po zyrtarizohet dhe po hidhet në treg një parti e re.
Jemi rreth 11 deputetë që do t’i bashkohen në ditët në vijim kësaj lëvizje, për të shpresuar për të shkuar deri në 20. Në fushatë në 12 qarqet besojmë se do të kemi 20 mandate në Kuvendin e Shqipërisë.”- shprehej Valteri.