Vendosni fjalën kyçe....

Të drejtat e pacientëve – vaksina e harruar kundër Covid-19


Nga Marash Logu

Në 15 Gusht, një qytetar u paraqit pranë QSUT-së për të bërë testin e Covid-19. Duke qenë se rezultoi pozitiv, mjekët e rekomanduan të karantinohej për 14 ditë, dhe të ndiqte këshillat mjekësore përkatëse. Ndërkohë, që qëndronte i izoluar në shtëpi, gjendja erdhi duke u përkeqësuar.

Në 27 Gusht, qytetari mori në telefon ambulancën që ta shoqëronte në spital pasi gjendja e përkeqësuar kërkonte trajtim urgjent spitalor. Duke qenë se ambulanca nuk erdhi, ai u detyrua të merrte një taksi private për të shkuar tek spitali “Shefqet Ndroqi”. Atje i thanë që duhet të shkonte te spital infektiv. Ai mori një taksi tjetër për të shkuar te spitali infektiv, ku nuk pranuan ta shtronin duke i thënë se duhet të qëndronte në shtëpi dhe të priste ambulancën.

Qytetari u kthye në shtëpi sërish me taksi. Gjatë gjithë këtij itinerari, përveçse në gjendje të rëndë shëndetësore, endjet e tij ishin bërë burim rreziku për infektimin e qytetarëve të tjerë. Aq më tepër, që ai kishte udhëtuar me mjete të transportit publik.

Në darkë, ambulanca erdhi dhe e mori në shtëpi për ta shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe prej më shumë se 48 orësh familjarët nuk kanë asnjë informacion lidhur me gjendjen shëndetësore të tij.

Kjo është një histori e vërtetë, me njerëz dhe ngjarje reale. Dhe nga bisedat, që kam pasur me miq apo të njohur, por edhe gazetarë që raportojnë për situatën e epidemisë, ky nuk është një rast sporadik.

Pavarësisht se tashmë kanë kaluar 5 muaj nga fillimi i epidemisë në vendin tonë, qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë nuk kanë arritur të ndërtojnë një sistem efikas që garanton respektimin rigoroz të të drejtave të pacientëve.

Por, cilat janë të drejtat e pacientëve? A i gëzojnë të gjithë pacientët në mënyrë të barabartë? Cilat janë kufizimet e këtyre të drejtave? Çfarë parashikojnë aktet ndërkombëtare? Çfarë masash duhet të marrë qeveria për të garantuar të drejtat e pacientëve?

Neni 55 i Kushtetutës së Shqipërisë garanton të drejtën e qytetarëve për kujdes shëndetësor në mënyrë të barabartë nga shteti. Garanci të ngjashme ofrojnë edhe instrumentët ndërkombëtare, Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut (neni 25) dhe Karta Sociale Evropiane (neni 13).

Garancitë e ofruara nga Kushtetuta dhe aktet ndërkombëtare, detajohen më tej në ligjin Nr. 10 107, datë 30.03.2009 “Për Kujdesin Shëndetësor në RSH”. Ky ligj parashikon se kujdesi shëndetësor bazohet mbi parimin se e drejta për kujdes shëndetësor është një e drejtë themelore e individit dhe garantimin e të drejtave të barabarta në kujdesin shëndetësor (neni 2).

Po ashtu, ky ligj parashikon se çdo qytetar shqiptar gëzon të drejtën për të përdorur shërbimet e kujdesit shëndetësor, të informohet për ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit, të informohet për mjekimin dhe të drejtat e tij, të japë pëlqimin për shërbimin që do të marrë etj.

Me qëllim garantimin sa më mirë të të drejtave të pacientëve, në Shkurt 2010, Ministria e Shëndetësisë ka miratuar Kartën Shqiptare të të Drejtave të Pacientëve. Kjo Kartë parashikon 16 të drejta që gëzon çdo pacient. Pavarësisht se këto të drejta funksionojnë si një sistem tërësor dhe i pandashëm, në vijim do të ndalemi vetëm tek disa të drejta, të cilat nuk po garantohen si duhet nga qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë në përballimin e epidemisë Covid-19.

Së pari, e drejta për akses në kujdesin shëndetësor është një nga të drejtat themelore të njeriut. Në këtë kuptim, refuzimi i spitaleve për të ofruar kujdesin shëndetësor të domosdoshëm për qytetarët përbën një cënim të kësaj të drejte.

Së dyti, spitalet duhet të tregohen më të kujdesshme në diagnostikimin e një pacienti dhe vendimmarrjen për ta vazhduar trajtimin në ambientin spitalor apo në kushte shtëpie. Kjo pasi shpeshherë një vendimmarrje e pakujdesshme ka rezultuar në përkeqësim të gjendjes së pacientit, ç’ka ka sjellë dëmtimin e parikuperueshëm të organeve jetike. Në këtë rast, është cënuar e drejta për masa parandaluese, ç’ka nënkupton marrjen e masave për të mos lejuar përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të pacientit.

Së treti, çdo pacient, por edhe familjarët e tij, kanë të drejtë për të marrë informacion të plotë lidhur me gjendjen e tij shëndetësore, mjekimet e përdorura etj. Kjo e drejtë duhet të sigurohet nëpërmjet një personi përgjegjës. Ndërkohë, e vërteta është se familjarët ankohen vazhdimisht se nuk kanë asnjë informacion lidhur me gjendjen shëndetësore të familjarëve të tyre. Ministria e Shëndetësisë duhet të ndërtojë një sistem të qendërzuar informacioni, që ju jep mundësi familjarëve të informohen vazhdimisht mbi gjendjen e familjarit të tyre të prekur nga Covid-19.

Së katërti, të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, janë e drejta për të dhënë pëlqimin dhe zgjedhje të lirë. Pacienti apo familjarët e tij duhet të japin pëlqimin dhe zgjedhin lirisht trajtimin shëndetësor. Në të shumtën e rasteve, pacientët janë vendosur në intubim, pa pasur pëlqimin paraprak të tyre apo familjarëve. Trajtimi në një mënyrë ose tjetër, pavarësisht nevojës, pa pasur pëlqimin paraprak apo me zgjedhje të lirë të pacientit apo familjarit të tij, përbën shkelje të këtyre të drejtave.

Së pesti, e drejta për të evituar dhimbjen dhe vuajtjen e panevojshme. Refuzimi për ofrimin e kujdesit mjekësor, sorollatjet e panevojshme, burokratizimi i procedurave mund të sjellë vuajtje dhe dhimbje të shtuara për pacientin. Në këtë kuptim, Ministria e Shëndetësisë dhe strukturat e saj të varësisë duhet të marrin masa për të eleminuar çdo dhimbje apo vuajtje të panevojshme.

Pjesë e kësaj të drejte, është edhe e drejta e pacientit për të pasur mbështetjen dhe udhëheqjen shpirtërore të familjes, të afërmve dhe të miqve gjatë trajtimit mjekësor. Izolimi i plotë i pacientëve, shkëputja e çdo kontakti nga familja dhe të afërmit, përveçse rëndon gjendjen e pacientit, cenon të drejtën e këtij të fundit. Veçanërisht kjo e drejtë ka rëndësi për pacientët që ndërrojnë jetë, dhe familjarët e tyre, të cilët e kanë “përshëndetjen e fundit”.

Në 27 Gusht, qyteti i Buenos Aires (Argjentinë) ka miratuar një ligj, të njohur ndryshe edhe si e drejta e lamtumirës, i cili u jep të drejtë pacientëve të prekur nga Covid-19 në fazën terminale të shoqërohen nga një i afërm. Ky i fundit duhet të pajiset me të njëjtën veshje që mbajnë edhe mjekët për të shmangur çdo rrezik të mundshëm. “Ne duam t’i afrojmë pacientët me të dashurit e tyre dhe të sigurojmë mjetet e nevojshme për një lamtumirë dinjitoze, pa vënë në rrezik jetën e personit shoqërues”, – u shpreh një nga deputetet nismëtar të ligjit.

Kështu, Ministria dhe strukturat vartëse duhet të marrin masa për të mundësuar komunikimin e vazhdueshëm të pacientit me familjarët (kur kjo është e mundur), qoftë edhe nëpërmjet teknologjisë së informacionit. Dhe ashtu si modeli argjentinas, të gjendet një mënyrë e sigurtë që pacienti të shoqërohet nga një i afërm në momentet e fundit të jetës.

Të drejtat e analizuara më sipër janë vetëm disa prej të drejtave që duhet t’i garantohen cdo pacienti gjatë trajtimit mjekësor. Sic kemi parë deri më tani, sistemi ynë shëndetësor po has sfida të shumta në garantimin e këtyre të drejtave. Për këtë përgjegjëse në rradhë të parë është Ministria e Shëndetësisë, si institucioni i ngarkuar nga ligji Nr. 15/2016 “Për Parandalimin dhe Luftimin e Infeksioneve dhe Sëmundjeve Infektive”, për menaxhimin e situatës së epidemisë, dhe më pas strukturat e varësisë.

Prandaj, Ministria, strukturat vartëse në bashkëpunim me spitalet dhe stafet mjekësore, duhet të marrin masa për të respektuar plotësisht të drejtat e pacientit, të garantuar nga legjislacioni shqiptar dhe ndërkombëtar. Të drejtat e pacientit duhen parë të lidhura ngushtësisht me të drejtat e njeriut, për të cilat, më 6 Mars të këtij viti, Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut bënte thirrje që të ishin në qendër të masave kundër koronavirusit dhe jo një cështje dytësore.

Ndërkohë, që e gjithë bota po rend padurueshëm drejt gjetjes së një vaksine për parandalimin e infektimit nga Covid-19, respektimi i të drejtave të pacientëve është vaksina e duhur për garantimin e dinjitetit të tyre.

VINI RE: Ky material është pronë intelektuale e gazetës Shekulli.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *