Një mjeke nga spitali ‘Shefqet Ndroqi’ ka dalë në një deklaratë për mediat për të folur lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi ditën e djeshme, ku një 65-vjeçar me Covid u vetëhodh nga kati i katërt.
Mjekja Eugerta Bilka e cila po lexonte deklaratën e shkruar me shkrim dore në një dy fletësh, tha se trajtimi për pacientin në fjalë është dhënë me përkushtim si dhe për gjithë pacientët e tjerë. Ajo shton se viktima po trajtohej edhe për shqetësimet psikologjike.
“Jemi këtu dhe po bëjmë këtë punë të jashtëzakonshme për të shpëtuar jetën nga sëmundja e rrezikshme dhe e pabesë që ka prekur gjithë botën. I shprehim ngushëllimet e sinqerta familjes së 65-vjeçarit.
Ai ishte i shtruar me pneumoni si pasojë e Sars Covid 2 dhe po trajtohej nga ne si dhe kishte shqetësime psikologjike. Sigurojmë qytetarët se do shërbejmë me përkushtim e sakrificë për të pacientët”, -tha mjekja e cila nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve.
Ndërkohë spitali “Shefqet Ndroqi” ka shpërndarë edhe një komunikatë për mediat lidhur me ngjarjen, ku thuhet se pacienti ishte shtruar vetëm 24 orë para ngjarjes dhe se po trajtohej për pneumoni, të shkaktuar nga koronavirusi.
Reagimi i spitalit
Stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” shpreh dhimbjen për humbjen e jetës së 65-vjeçarit me inicialet H.M, i cili i dha fund jetës mbrëmjen e sotme dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij në këto momente të vështira.
65-vjeçari ishte shtruar një ditë më parë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, me pneumoni të shkaktuar si pasojë e virusit SARS COV2 dhe po trajtohej me terapinë e plotë të mjekimit.
Duke shprehur edhe një herë dhimbjen për këtë ngjarje të rëndë, stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” siguron qytetarët se po vijojë të jetë në shërbim 24/7 për të garantuar shërbimin shëndetësor për pacientët që trajtohen në spitalin tonë.