Vendosni fjalën kyçe....

Bjellorusia vendos gjysmën e ushtrisë në kufirin me Lituaninë e Poloninë


Bjellorusia ka vendosur gjysmën e ushtrisë së saj në kufijtë e saj me Lituaninë dhe Poloninë, njoftoi të enjten presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko.

Duke folur në një takim me kryeministrin rus, Mikhail Mishustin, në Minsk, Lukashenko e quajti një ‘hap armiqësor’ zhvendosjen e avionëve luftarakë F-16 të SHBA-së në kufijtë bjellorusë.

Ai tha se 16 deri në 18 avionë amerikanë ishin pozicionuar në mënyrë që ata të mund të arrinin kufirin e vendit në 15-20 minuta.

“Ne të gjithë e pamë këtë, kështu që na duhej të përgjigjeshim. Ne vendosëm pothuajse gjysmën e ushtrisë sonë duke marrë në dorë kontrollin e kufijve perëndimorë me Lituaninë dhe Poloninë.” – tha Lukashenko.

Nga ana tjetër, Mishustin siguroi Lukashenkon se Rusia mbështet plotësisht sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Bjellorusisë.

“Për ne, Bjellorusia është vend i afërm dhe nuk ka të bëjë vetëm me lidhje historike, gjuhësore dhe shpirtërore, por edhe me qindra mijëra dhe miliona qytetarë tanë, të cilët në të vërtetë janë një popull.” – tha ai.

Bjellorusia është përfshirë prej javësh nga protestat e opozitës që nuk e njohu rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit, që u fituan nga presidenti i tanishëm, Lukashenko, duke thënë se ishin të manipuluara.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *