Ditën e sotme Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë me firmën edhe të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.
Palët ranë dakord në vija të trasha më shumë për pika në fushën e ekonomisë ndërsa në atë politike nuk u shënua asnjë hap.
Fillimisht u fol se kjo marrëveshje kaq e rëndësishme madje edhe me investimin personal të Trump do sillte njohjen e ndërsjelltë mes dy palëve.
Por në fund të vetmen njohje që mori Kosova ishte ajo nga Izraeli ndërsa Serbia pajtohet të hapë selinë e saj diplomatike në Jerusalem.
Palët kanë rënë dakord në disa shtylla kryesore për këtë marrëveshje.
Pikat e rëna dakord në fushën ekonomike
Kjo marrëveshje më së shumti mund të quhet një marrëveshje ekonomike mes palëve, pasi në tekstin e saj kjo shtyllë ka marrë rëndësinë më të madhe.
Efektet ekonomike mendohet se përveç dy vendeve do prekin edhe gjithë rajonin.
Palët ranë dakord që të ndërtohen autostradat Prishtinë-Beograd e cila do quhet “autostrada e Paqes”. Do ndërtohet hekurudha, Prishtinë-Merdarë dhe Prishtinë-Nish.
Gjithashtu palët kanë rënë dakord që Kosova të marrë pjesë në të ashtëquajturin mini-Schengeni Ballkanik, një iniciativë e cila do nxisë bashkëpunimin ekonomik dhe do heqë barrierat e transportit apo doganore mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në fushën e arsimit
Me këtë marrëveshje një pikë është edhe në fushën e arsimit ku palët kanë rënë dakord të njohin diplomat dhe certifikatat profesionale mes njëra-tjetërës.
Në fushën ndërkombëtare
Në këtë pikë duket se Kosova ka humbur shumë pasi për një vit Prishtina zyrtare do ndalojë përpjekjet për njohje për një vit. Një regres ky për Kosovën në arenën ndërkombëtare pasi njohjet dhe aderimi nëpër organizata janë të rëndësishme për të si shtet i ri.
Lidhur me këtë edhe Serbia do vendoset në një moratorium 1-vjeçar për të ndaluar fushatën e tërheqjes së njohjeve.
Palët gjithashtu kanë rënë dakord nga marrëveshja në Uashington që të përshpetojnë përpjekjet për identifikimin dhe gjetjen e personave të humbur gjatë luftës.
Në fund, të marrëveshjes thuhet se Izraeli do njohë Kosovën, që edhe pse është shkruar në tekstin e marrëveshjes të firmosur nga Kryeministri Avdullah Hoti duket se nuk ka të bëjë mes Beogradit dhe Prishtinës.
Kjo marrëveshje erdhi pasi palët tentuan edhe më herët të nënshkruanin atë por thirrja e Presidentit Hashim Thaçi në Hagë shtyu me disa muaj dialogun dhe takimin në Uashington. /Hashtag.al