Një mjeke e QSUT-së, ka dalë sot e ka folur për mediat.
Sipas mjekes Entela Kolovani, gjendja e pacientëve që intubhen rëndohet papritur dhe vendimi merret në bazë të parametrave klinikë e laboratorikë nga mjekët në bashkëpunim me reanimatorët.
Në deklaratën e thënë për News24, Kolovani shtoi se familjarët e të sëmurit lajmërohen në rastet kur i afërmi i tyre duhet intubuar.
“Sëmundja është plot me të papritura, me situata që pacienti mund të rëndohet papritur në cdo orë, vendimi merret në bashkëpunim me ekipin e reanimatorëve. Janë disa parametra klinikë e laboratorikë për ta futur pacientin në intubim. Është një procedurë që bëhet në momentin e duhur, pasi në rast vonese, ka pasoja të rënda për pacientin. Kur kemi ngjarje të reja me pacientin sigurisht që bëhet informimi. Ne e informojmë familjarin që kushtet shëndetësore nuk janë mirë dhe ai mund të përfundojë në intubim. Mjeku është vetëm duke vepruar, duke bërë procedurën, që është gjithmonë në favor të të sëmurit.” – tha ndër të tjera mjekja.
Ajo shto se në spital nuk ka mungesë uji dhe as ushqimesh.
“Jo nuk mungon, ne nuk kemi kërkuar që familjarët të sjellin ujë. Kemi lënë një orar, kur ata mund të sjellin ndërresa. për ujin, ushqimin e pjesën tjetër është i plotësuar nga spitali.” – shtoi ajo.
Mjekja theksoi se në spital nuk ka mungesë personeli dhe se mjekët e infermierët bëjnë maksimumin për t’u shërbyer të sëmurëve.
“Ne kemi një staf shumë të madh infermieror, që i shërben të sëmurëve. Në çdo pavion, minimumi në çdo turn janë 8 infermierë. Janë edhe tre mjekë roje e tre mjekë informatorë si dhe gjatë paradites i gjithë stafi. Është një staf shumë i madh, që punon në ndihmë të këtyre pacientëve. Nuk vuajmë për mungesë personeli, është situata e të sëmurit ndonjëherë që na bën të ndihemi jo mirë.” – tha mjekja.
Ditën e djeshme gazetari Erjon Skëndaj në një lidhje të drejtpërdrejtë nga spitali Infektiv tha se intubimet përfundojnë thuajse të gjitha në fatalitet dhe se ka raste kur për vendimin e intubimit të pacientëve, familjarët nuk lajmërohen.