Ka përfunduar takimi në Presidencë mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit të vendit, Ilir Meta.
Zyra e shtypit të Presidencës ka transmetuar live në Facebook, një pjesë nga takimi. Rama ishte i pajisur me maskë në fytyrë dhe nuk i dha dorën presidentit.
Që në nisje të takimit, Meta i parashtroi kryeministrit arsyet e këtij takimi mes tyre, ndërsa shtoi se vendosja e datës nuk ka ndonjë rëndësi të madhe.
“Unë fillova të zhvillonim konsultimet për datën e zgjedhjeve, me qëllim për të ndihmuar sa më shumë për një proces gjithëpërfshirës, jo se vendosja e datës ka ndonjë rëndësi vendimtare por për të respektuar çdo ndjeshmëri apo edhe kalendarë të tjera sic janë festat zyrtare. Në këtë drejtim do të isha i interesuar të dëgjoja edhe mendimin tuaj si përfaqësues të PS dhe të mazhorancës”- tha Meta.
Më pas i ofroi ndonjë kafe ndonjë çaj. Mirëpo transmetimi i drejtpërdrejtë nga Presidenca u ndërpre.
Në këtë takim, Rama shoqërohej edhe nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.