Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti Meta përfundon 4 takime, data e propozuar deri tani për zgjedhjet


Presidenti i vendit Ilir Meta, ka përfunduar disa nga takimet me drejtues të partive politike, me të cilët është konsultuar lidhur me datën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021. Dhe duket se data më e propozuar deri tani është 18 prilli.

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi përfundoi i pari takimin, e ndërsa fliste para gazetarëve u ndal kryesisht te çështja e kufirit detar me Greqinë dhe nuk dha një datë për zgjedhjet.

“I shpreha shqetësimin Presidentit për faktin që duhet të ketë vëmendjen qeveria shqiptare për zonat ekskluzive ekonomike, sepse në këtë marrëveshje dy ishujt kanë marrë të drejtë të zgjerohen me 12 milje, që cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë zonën ekonomike që ne duhet të ndajmë me Greqinë dhe Italinë. Më vjen mirë që ditët e fundit kryeministri ka bërë një tërheqje dhe e ka lexuar edhe vetë pikën 15 të Konventës. Më duhet të theksoj fort dhe të bëj të qartë për publikun se qeveritë shqiptare janë në sindromën e Shën Naumit dhe qeveria shqiptare nuk duhet të diskutojë më për kufijtë detarë e tokësorë me Greqinë.”- tha Idrizi.

Pas Idrizit, me presidentin u takua dhe Nënkryetari i Partisë Republikane, Arian Madhi. Në fund të takimit, Madhi tha se PR ka propozuar 18 prillin si datë për zhvillimin e zgjedhjeve.

“Shkëmbyem pikëpamjet dhe argumentet tona për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, të cilat duhet të jenë të lira dhe të ndershme. I ofrova presidentit propozimin e PR, e cila kërkon të dekretohet si datë zgjedhjes 18 prilli, si data më e afërt për zgjedhjet në Shqipëri. Presidentit i shpresa bindjen tonë që Reforma Zgjedhore, që u realizua mbi bazën e marrëveshjes së 5 qershorit, do të mund të ofrojë zgjedhje të lira e të ndershme.

Çdo përpjekje që do të mund të fuste një agjendë tjetër për diskutim dhe vendimmarrje në Parlament dhe çdo institucion tjetër do të ishte një përpjekje mjaft e rrezikshme. Një përpjekje e tillë e iniciuar nga interesa të vogla partiake dhe që do të prishte rregullat e lojës në Shqipëri, do të rrezikonte dhe vetë fatin e zgjedhjeve në Shqipëri”, tha Madhi.

Më pas Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. Ai tha se nuk ka një datë fiske, por PBDNJ propozon datën më të shpejtë të mundshme konform legjislacionit në fuqi për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare.

“Zhvillimet ekonomike dhe shoqërore kërkojnë zhvillimin e zgjedhjeve, me procedurën më të shpejtë. Zgjedhjet mbeten një sfidë ende e paarrirë në vendin tonë. Qëndrimi ynë është i qartë, propozojmë datën më të shpejtë të mundshme konform legjislacionit në fuqi”, tha Dule.

Ndërsa Nënkryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Arben Tafaj, tha pas takimit me Presidentin Ilir Meta se partia e tij propozon datën 18 prill 2021 për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare.

“18 prilli është një datë shumë e përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve, për shkak se maji e më pas është periudhë e vështirë për shqiptarët, të cilët shkojnë e punojnë në punë sezonale në Greqi e vende të tjera. Data 18 prill ka dhe një epërsi tjetër, sepse është mes dy Pashkëve. Ky ishte qëndrimi i Partisë Agrare dhe ne ia shprehëm Presidentit. Çështje tjetër e diskutuar ishte dhe Kodi Zgjedhor, që po mbahet nëpër këmbë dhe nuk po diskutohet”, tha Tafaj. Kjo është partia e dytë opozitare, që propozon datën 18 prill 2021 për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare, pas Partisë Republikane.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *