Mijëra protestues dolën në rrugët e kryeqytetit bullgar, Sofje për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit prej një kohe të gjatë në detyrë, Bojko Borissov. Protesta u shoqërua nga përplasje midis demonstruesve dhe policisë.
Protesta përpara ndërtesës së parlamentit filloi paqësisht, me qytetarët që mbanin flamuj bullgarë dhe brohorisnin, ‘dorëhiqu’ dhe ‘mafie’, duke iu referuar lidhjeve të pretenduara të kryeministrit me oligarkët me ndikim të vendit.
Por pasi u errësua, disa u përpoqën të depërtonin drejt parlamentit, që ruhej nga oficerët e policisë të shumtë në numër. Demonstruesit hodhën fishekzjarre dhe sende të tjera, duke përfshirë vezë, mollë dhe mbeturina, ndaj policëve. Ata gjithashtu goditën makinat e policisë dhe përdorën spërkatës me piper kundër policisë.
Policia u kundërpërgjigj duke përdorur një makinë ujëhedhëse dhe duke arrestuar më shumë se 60 persona. Dyzet e pesë persona, duke përfshirë oficerët e policisë, u shtruan në spitale pas përplasjeve, sipas autoriteteve shëndetësorë.
Demonstrata e së mërkurës ishte më e madhja që nga shpërthimi i protestave anti-qeveritare në vend dy muaj më parë. Protesta ndodhi në ditën kur deputetët u kthyen në punë pas pushimeve të verës për të debatuar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Borissov.
Opozita denoncoi propozimet, duke thënë se kryeministri tre herë po përpiqej të përdorte ndryshimet kushtetuese për të zgjatur qëndrimin e tij në detyrë.