Mjekja e Infektivit, Entela Kolovani, ka bërë sot një deklaratë për të sqaruar atë që ndodh në spitalin e përshtatur për të trajtuar pacientët e prekur nga Covid-19.
Ajo iu referuar dy rasteve të vetëvrasjeve në spitalin Shefqet Ndroqi duke thënë se ka disa faktorë që mund të çojnë në ndryshimin psikologjik të pacientëve.
Sipas saj, në deklaratën e dhënë për Neës24, sëmundja çon në vlera të ulëta të oksigjenimit në gjak duke bërë që të gjitha organet e trupit të mos furnizohen si duhet e të vuajnë. Kolovani pohoi se në spital ka psikologë që ndihmojnë të sëmurët në raste të tilla.
“Ka mjaft faktorë që mund të shoqërohen edhe me një ndryshim psikologjik të këtyre pacientëve. Në radhë të parë është vetë sëmundja, që shoqërohet me vlera të ulëta të oksigjenimit në gjak. Ky gjak i paoksigjenuar përhapet në të gjitha organet e trupit e bën që këto organe të vuajnë. Të njëjtën gjë bën edhe truri, që nëse nuk oksigjenohet mjaftueshëm, vuan. Në këtë mënyrë, pacienti në momente të caktuara mund të shfaqë ndryshime të sjelljes, që lidhet direkt me sëmundjen. Por edhe mungesa e familjarëve, terapia intensive, ajo që kanë dëgjuar mbi sëmundjen, janë faktorë të tjerë që mund të çojnë në ndryshime psikologjike të pacientëve. I gjithë personeli mjekësor është pranë këtyre pacientëve 24 orë në ditë, kemi edhe psikologë, mjekë reanimatorë e infektologë, një numër të madh infermierësh, që asistojnë pranë të sëmurëve.” – tha mjekja.
Mjekja shtoi më tej se pacientëve nuk u ndalohet komunikimi me familjarët nëpërmjet telefonit por është sëmundja që ua pamundëson komunikimin me ta.
“Kur pacientët paraqiten për shtrim kanë me vete telefonat e tyre, me të cilët komunikojnë në mënyrë të vazhdueshme me familjarët. Në asnjë moment ne s’i kemi penguar telefonat, por është vetë sëmundja, që ua bën të pamundur komunikimin pacientëve. Gjithsesi ne kemi një numër telefoni të familjarëve për cdo pacient, për të dhënë një informacion të shkurtër lidhur me situatën e tyre. Patjetër, shpesh pacientët bëjnë video-call me familjarët e tyre. Çdo ditë ne komunikojmë duke dhënë informacion për çdo pacient. Nëse kemi ndryshim dhe agravim të situatës, sigurisht që bëhet në çdo moment komunikimi te familjarët. Për pacientët në gjendje stabël, komunikimi është 1 herë në 24 orë.” – tha mjekja.