Vendosni fjalën kyçe....

Zbardhet krimi i para tetë viteve, babai dhe vëllai vranë 23-vjeçaren dhe e çuan te Mali me Gropa


 

Është zbardhur vrasja e 23-vjeçares Eglantina Buci tetë vjet më parë te Mali me Gropa.

Sipas policisë së Tiranës, autorët e ngjarjes janë babai dhe i vëllai i vajzës së re dhe babai është arrestuar, ndërsa i vëllai ndodhet në burg për një tjetër vepër penale.

E reja ishte larguar nga shtëpia për të bashkëjetuar me një person por kjo është kundërshtuar nga babai dhe vëllai i saj.

Vëllai i Eglantinës, Shkëlzeni është ndërkohë duke kryer një dënim prej 13 vitesh në burg për vrasje të mbetur në tentativë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 14 shtator 2012

Njoftimi

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “HESHTJA”, për zbardhjen e një vrasjeje të ndodhur në vitin 2012.

Operacioni nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda Ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, Instituti i Policisë Shkencore, Agjencia e Kosovës për Forenzikë, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Nga Seksioni i Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës në Sektorin e Krimeve të Rënda Ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë është bërë i mundur dokumentimi dhe zbardhja e një vrasjeje të ndodhur në vitin 2012, në vendin e qujtur “Mali me Gropa”, Tiranë.

Vihet në pranga njëri prej autorëve, ndërsa autorit tjetër i është komunikuar masa në IEVP ku vuan dënimin.

Në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura më parë, pas një pune hetimore dhe procedurale të mirorganizuar dhe të pandërprerë, nga Sektori i Krimeve të Rënda Ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Institutin e Policisë Shkencore Tiranë, Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit policor të koduar “HESHTJA”.

Në kuadër të hetimeve u bë e mundur gjetja e disa pjesëve të një skeleti (eshtra) të një kufome të paidentifikuar të gjetur në datë 14.09.2012, në vendin e quajtur ”Mali me Gropa”, Tiranë.

Pas një pune hetimore të pandërprerë që prej vitit 2017, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, janë rifilluar hetimet në lidhje me këtë çështje dhe mbi veprimet hetimore dhe procedurale, është bërë i mundur identifikimi shkencor eshtrave, të cilat i përkasin shtetases Eglantina Buci, 31 vjeçe, lindur në Dibër dhe banuese në Babrru, Tiranë.

Nga grupi hetimor i ngritur posaçërisht për këtë çështje, u bë zbardhja dhe dokumentimi i plotë ligjor me prova shkencore i kësaj ngjarjeje.

Në datën 04.09.2020, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur masat e sigurisë “Arrest në burg” për autorët e dyshuar të kësaj ngjarje, konkretisht shtetasit:

B., 66 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Babrru, Tiranë;

Sh. B., 37 vjeç, lindur në Peshkopi dhe banues në Babrru, Tiranë.

Shtetasit F. B. dhe Sh.B., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë më armë zjarri pistoletë shtetasen E. B. dhe më pas e kanë fshehur (groposur) kufomën, në Malin me Gropa, Tiranë.

Motivi i vrasjes së bërë nga babi dhe vëllai i saj është pasi shtetasja E. B. është larguar nga banesa për të bashkëjetuar me një shtetas tjetër, pa dëshirën e personave të lartëpërmendur F.B dhe Sh.B (familjarë të saj).

Theksojmë se shtetasit Sh. B. iu komunikua masa e sigurisë në ambientet e IEVP-së ku vuan dënimin, pasi është arrestuar më parë po nga Sektori Krimeve të Rënda Ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për një ngjarje tjetër, për “Vrasje me paramendim” të ngelur në tentativë, të ndodhur në Tiranë, në vitin 2017. Ky shtetas aktualisht është duke vuajtur dënimin me 13 vite burgim.

Ndërsa pas daljes së masës së sigurisë për shtetasin F. B., Sektori i Krimeve të Rënda Ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas marrjes së informacioneve të shpejta në rrugë operative nga ana e specialistëve dhe ndihmësspecialistëve bëri të mundur lokalizimin dhe kapjen e tij.

Në momentin e kapjes këtij shtetasi i është gjendur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë e ftohtë thikë.

Në kuadër të operacionit Policia e Shtetit falënderon Agjencinë e Kosovës për Forezikë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë në lidhje me identifikimin e kufomës dhe zbardhjen e plotë ligjore të kësaj çështjeje.

Materialet në ngarkim të shtetasve F. B. dhe Sh. B. i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësore Tiranë, për veprat penale ”Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, ”Mbajtja pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” dhe ”Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” .


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *