Vendosni fjalën kyçe....

Donald Trump: Nuk kemi prova se Moska helmoi opozitarin Alexey Navalny


Presidenti amerikan Donald Trump, ka reaguar lidhur me helmimin e liderit opozitar rus Alexey Navalny, duke hezituar të bashkohet me aleatët e tij europianë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë lidhur me këtë.

Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, se SHBA-ja nuk ka parë “ndonjë provë” që Moska e helmoi aktivistin.
“Unë nuk e di saktësisht se çfarë ka ndodhur”- u tha Trump gazetarëve të premten në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë. “Është tragjike. Është e tmerrshme. Nuk duhet të ndodhë. Ende nuk kemi pasur ndonjë provë, por do ta shqyrtoj. ”

Megjithatë Trump shtoi se nuk ka asnjë arsye për të mos besuar pretendimet nga qeveria gjermane se Navalny u helmua me një agjent nervor nga grupi Novichok. Por ai po pret prova para se të arrijë në konkluzione në lidhje me veprimet që duhet të ndërmerren kundër Rusisë.

“Ne nuk e kemi parë vetë”- tha ai për provën e supozuar përfundimtare të pretenduar nga Berlini.

Alexey Navalny u sëmur në një fluturim nga Tomsk për në Moskë më 20 gusht, duke shkaktuar një ulje emergjente dhe u shtrua në spital në qytetin siberian të Omsk. Më pak se 48 orë më vonë, ai u dërgua me avion në Klinikën Charite të Berlinit.

Mjekët rusë nuk gjetën ndonjë substancë toksike në sistemin e Navalny, por menjëherë pas mbërritjes së tij në Gjermani, ekipi mjekësor lokal njoftoi se figura e opozitës ishte helmuar.

Drejtuesit e NATO-s dhe BE-së kërkuan që Kremlini të shpjegonte “sulmin” dhe paralajmëruan për një përgjigje ndërkombëtare.

Kancelarja gjermane Angela Merkel e quajti incidentin si një përpjekje për të heshtur një nga kritikët më të fortë të Presidentit Vladimir Putin.

Por Moska ka mohuar çdo përfshirje. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Rusia nuk ka marrë prova nga Gjermania se çfarë e shkaktoi gjendjen e Navalny dhe askush në Rusi nuk do të fitonte asgjë nga helmimi i aktivistit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *