Vendosni fjalën kyçe....

Kjo është 23-vjeçarja që u vra dhe gropos nga vëllai dhe babai i saj, si u zbulua krimi makabër pas 8 vitesh


Vajza në foto është Eglantina Buci, e reja që u vra nga i vëllai dhe i ati 8 vite më parë, për shkak të një bashkëjetese që ata nuk e kishin pranuar.

Dosja e krimit u zbardh një ditë më parë nga Policia e Tiranës, e cila njoftoi se autorët e ngjarjes janë babai dhe i vëllai i vajzës së re.

Babai Faiku është arrestuar, ndërsa i vëllai ndodhet në burg për një tjetër vepër penale.

Sipas dosjes së policisë, dyshohet se babai kishte planifikuar vrasjen, ndërsa vëllai i vajzës, Shkëlzeni, e kishte ekzekutuar të renë me plumb në kokë te Mali me Gropa. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 14 shtator 2012.

Më pas, të dy babë e bir tentuan të fshehin kufomën dhe historia mbeti e pazbardhur për 8 vite. E gjithë kjo ndodhi vetëm pse 23-vjeçarja asokohe ishte larguar nga shtëpia për të bashkëjetuar me një person, por këtë e kundërshtonin babai dhe vëllai i saj.

Një muaj pas krimit, një gjuetar ka gjetur pjesë eshtrash të 23-vjeçares, të cilat ishin nxjerrë nga kafshët e egra. Nisur nga eshtrat e sekuestruara dyshohet se viktima është ekzekutuar me një plumb në kokë, që përshkon nofullën e majtë dhe del në pjesën e pasme të kafkës.

Ngjarja nuk arriti të zbardhej, sepse mbetjet e kufomës nuk mund të identifikoheshin.

Ndërkohë, për zhdukjen pa gjurmë të vajzës, në policinë e Tiranës në atë periudhë ka depozituar kallëzim penal nëna e saj, Lirije Buci. Ajo i tha policisë se prej disa muajsh vajza ishte larguar nga banesa dhe nuk kishte asnjë kontakt me të.

Faik Buci dhe Shkëlzen Buci, ngritën dyshime të forta në polici se vajza mund të ishte trafikuar si prostitutë në Itali.

Si u zbulua ngjarja

Një i penduar, shok i dikurshëm i Shkëlzen Buçit ka zbardhur vrasjen e Eglantina Bucit, e ndodhur në vitin 2012.

Ai është arrestuar në vitin 2017 për një vepër tjetër penale, ku tha se kishte dijeni për vrasjen e ndodhur në vitin 2012, vrasje të cilën e lidhte me Shkëlzen Bucin.

I penduari ka treguar se ai vetë ka transportuar Shkëlzen Bucin dhe motrën e tij me makinë dhe rrugës ka mësuar se Buci debatonte me të motrën për shkak të një lidhjeje të saj me një djalë.

Prokuroria iu drejtua për ndihmë autoriteteve të Kosovës, të cilëve iu kërkuan identifikimin e kufomës. Eshtrat u çuan në një laborator në Kosovë, ku rezultoi që viktima ishte Eglentina Buci.

Rezulton se identifikimi i vajzës është bërë përmes karahasimit të ADN-së me nënën. Faik Buci ishte i ndarë nga e shoqja dhe për të mos rënë në gjurmët e hetimit, krahasimi është bërë me ADN-në e nënës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *