Më 5 shtator 2016, botës iu shtua një shenjtore… Nënë Tereza, sot Shenjta Terezë. Në një ceremoni madhështore në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan, Papa Françesku, njohu dy mrekullitë e shqiptares, të shërimit të të sëmurëve pas vdekjes së saj në vitin 1997.
Në këtë ditë, politikanët shqiptarë kanë kujtuar 4-vjetorin e shenjtërimit të saj.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video nga momenti i Nënë Terezës në Shqipëri, por dhe veprat e saj bamirëse.
“Mirëmëngjes dhe me disa nga fjalët e shenjta të Nënë Terezës në ditën e saj të Shenjtërimit, ju uroj një fundjavë të paqtë si vetë ajo”, shkruan Rama.
Kryedemokrati Lulzim Basha e ka përkujtuar Nënë Terezës gjithashtu përmes një mesazhi në rrjetet sociale.
Basha thotë që ky 5 shtator duhet të shërbejë si një ditë reflektimi për gjendjen ekonomike se ku ndodhet vendi.
“Dita e shenjtërimit të Nënë Terezës, simbolit të dashurisë, dhembshurisë dhe kujdesit për të varfërit e të pamundurit, është mbi të gjitha një ditë reflektimi për gjendjen ku ndodhet vendi dhe për çfarë duhet të bëjmë për të lehtësuar sa më shumë jetën e bashkëqytetarëve tanë që sot gjenden mes vështirësive dhe pamundësive. Edhe ata që s’mund të bëjnë dot gjëra të mëdha, mund të bëjnë gjëra të vogla me dashuri të madhe.” Kjo thënie e Nënë Terezës le të jetë frymëzim për të nisur së bashku ndryshimin, për të ndërtuar një jetë më të mirë për bashkëqytetarët tanë, me më shumë përkujdesje për të pamundurit, me mundësi për punë e jetë më të mirë për bashkëqytetarët tanë, për ditë më të mira për popullin dhe vendin tonë”, shkruan Basha.
Një mesazh përkujtimi nuk ka munguar as nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi. Ai thotë se në 110 vjetorin e lindjes dhe katërvjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, të gjithë duhet të reflektojmë.
“5 shtatori i 2016-s shënoi në kalendarin Apostol Ditën e Shenjtores shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës. Kjo është një ditë e shënuar për besimin dhe komunitetin katolik, veprimtarët, organizatat dhe lëvizjet humaniste e filantropike në të gjithë botën. Por kjo është një ditë e shënuar veçanërisht për kombin shqiptar. Ne, shqiptarët, jemi krenarë që i kemi dhënë botës njëkohësisht një shenjtore dhe nobeliste. Është një rast unikal kur një nobeliste shenjtërohet, duke bashkuar tokësoren me hyjnoren, kontributin për paqen me përpjekjet titanike për shërimin, mirëqenien dhe lumturinë e të varfërve, të sëmurëve e të pambrojturve.
Nënë Tereza është lartësia e përulur, edukatorja universale e të gjithë njerëzimit dhe për të gjitha kohrat. Sot, në 110 vjetorin e lindjes dhe katërvjetorin e shënjtërimit të Nënë Terezës, të gjithë duhet të reflektojmë. Nëse dëshirojmë të ndërtojmë lumturinë nëpërmjet egoizmit për pasurim apo lehtësimit të varfërisë së të tjerëve nëpërmjet ngrohtësisë, le t’i referohemi Nënë Terezës.
Nëse dëshirojmëtë zgjedhim midis ambicjes për të triumfuar apo dhënies së dashurisë për të tjerët, le t’i drejtohemi Nënë Terezës. Nëse dëshirojmë të zgjedhim midis përparimit nëpërmjet forcës apo nëpërmjet dhimbsurisë njerëzore, le të mësojmë nga Nënë Tereza. Nëse dëshirojmë të zgjedhim midis qaramanëve dhe atyre që bëjnë përditë nga një gjë të vogël, të dobishme, le të veprojmë si Nënë Tereza. Nëse dëshirojmë që sakrificat e vuajtjet të mos na dekurajojnë, por të na nxisin për t’u ringritur dhe vazhduar luftën në emër të së mirës dhe lumturisë së të gjithëve, shembulli është Nënë Tereza”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në mesazhin e tij.
Presidenti Ilir Meta gjithashtu ka publikuar një video nga një deklaratë e Nënë Terezës. Ai gjithashtu shpërndan me tekst një thënie të saj: “Mbase ju nuk jeni të uritur për një copë bukë, por ndoshta është dikush atje në familje që është i padëshiruar, pa dashuri, pa kujdesje, i harruar. Atje është dashuria! Dashuria fillon nga shtëpia juaj! Një dashuri që është e vërtetë, dhemb! Kjo është ajo çfarë unë solla për ju. T’i jepni njëri-tjetrit më shumë dashuri!”.
Më pas Meta shkruan se nuk duhet të mbetet vetëm dashuria, por të vendoset në shërbim të kujto që ka më shumë nevojë.
“Në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, që është gjithashtu Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë, vjen më i fortë se kurrë mesazhi se dashuria nuk duhet të mbetet vetëm, por duhet të vendoset në veprim dhe në shërbim, ndaj kujtdo që ka më shumë nevojë për të përballuar mjerimin, varfërinë, vuajtjet dhe vështirësitë e përditshme.
Vepra e Shën Terezës të frymëzojë solidaritetin dhe gjithëpërfshirjen mbarëkombëtare për të rikthyer shpresën, për një Shqipëri më humane dhe më të dhembshur që përkujdeset me dashuri dhe përulësi ndaj çdo qytetari në nevojë!”– shkruan presidenti.
Murgesha shqiptare “u lumturua” në tetor të vitit 2003, nga Papa Gjon Pali II. Ai miratoi mrekullinë e parë pas vdekjes së saj. Një grua 30-vjeçare në Kolkata tha se ajo u shërua nga një tumor në stomak pas lutjeve të Nënë Terezës. Një komitet i Vatikanit tha se nuk mund të gjente asnjë shpjegim shkencor për shërimin e saj dhe e shpalli atë një mrekulli.