Vendosni fjalën kyçe....

Turqia kundërshton hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem


Ambasada turke në Prishtinë, sipas një njoftimi të bërë në rrjetin social Facebook, thotë se Turqia ka kundërshtuar hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

“Nga postimet në mediat sociale të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryeministrit Hoti dhe ministres të Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla është kuptuar se përveç njohjes reciproke të Kosovës dhe Izraelit, një angazhim është bërë edhe nga Kosova për të hapur një Ambasadë në Jerusalem. Është zhgënjyese që një hap i tillë, i cili do të përbënte një shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare madje të merret në konsidideratë nga autoritetet e Kosovës”, thuhet në postimin e bërë nga ambasada Turke në Prishtinë.

Turqia, thuhet më tutje në njoftim, si një nga vendet e para që njohu Kosovën, gjithashtu që ka siguruar një mbështetje të madhe për përpjekjet drejt njohjes ndërkombëtare të këtij vendi që nga fillimi, nuk e sheh të drejtë që ky proces të ndërtohet në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe veçanërisht mbi vuajtjet e popullit palestinez, territoret e të cilit janë nën okupim.

“Është theksuar vazhdimisht nga rezoluta të ndryshme të OKB-së që konflikti palestinez mund të zgjidhet vetëm përmes krijimit të një shteti të pavarur, sovran dhe të afërt të Palestinës bazuar në kufijtë e vitit 1967 me Jerusalemin Lindor si kryeqytet”, thuhet në njoftim.

Ambasada turke në Prishtinë i bën thirrje udhëheqjes së Kosovës që të veprojë në përputhje me këto rezoluta dhe të përmbahet, siç thuhet, në njoftim nga veprimet që do të dëmtonin statusin historik dhe ligjor të Jerusalemit dhe që do të parandalonin që Kosova të njihet nga shtetet e tjera në të ardhmen.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, një mbrojtës i madh i të drejtave të palestinezëve, kishte kritikuar edhe zhvendosjen e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Tel Aviv për në Jerusalem në maj të vitit 2018.

Më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit Trump, nënshkruan marrëveshjen për normalizim ekonomik.

Pjesë e kësaj marrëveshje ishte që Kosova (Prishtina) dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri-tjetrin.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Kosova është e vendosur që të hapë ambasadën në Jerusalem, “të vendosë marrëdhënie diplomatike dhe të thellojë marrëdhëniet dypalëshe”.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *