Vendosni fjalën kyçe....

E reja nga Koreja e Veriut tregon tmerre: Shihja kufoma në rrugë dhe haja insekte


Një dezertore e Koresë së Veriut e cila u largua nga vendi në moshën 13 vjeçare ka përshkruar tmerrin që ka përjetuar atje duke parë trupa të pajetë në rrugë dhe është detyruar të hajë insekte për shkak të urisë.

Yeonmi Park tha se i ftohti, errësira dhe uria ishin pjesë e jetës së përditshme në shtëpinë dhe vendin ku ajo u rrit dhe fajësoi ambiciet bërthamore të regjimit për shkatërrimin e ekonomisë së vendit.

Pasi u larguan nga Koreja e Veriut dhe kaluan lumin Yalu të ngrirë në Kinë, Park dhe nëna e saj u trafikuan dhe u përdhunuan para se të arratiseshin përsëri në Mongoli.

OKB paralajmëroi vitin e kaluar se më shumë se 10 milion njerëz po përballeshin me ‘mungesa të mëdha’ në Korenë e Veriut dhe se ekonomia është dëmtuar më tej nga kufizimet e koronavirusit – megjithëse vendi pretendon të mos ketë raste.

“Do të shihje kaq shumë njerëz që thjesht vdisnin. Ishte diçka normale për ne të shihnim trupat e pajetë në rrugë”– tha Park për New York Post. Ajo vazhdon:“Unë kam vizituar lagjet e varfëra në Mumbai, kam vizituar lagjet e varfëra në vendet e tjera, por asgjë nuk është si Koreja e Veriut sepse uria e Koresë së Veriut, është një uri sistematike nga një vend që zgjodhi të na bënte të uritur”.

Gjyshja dhe xhaxhai i Park vdiqën nga kequshqyerja dhe si fëmijë ajo u detyrua të hante insekte për të mbijetuar.
“Nëse ata do të shpenzonin vetëm 20 përqind të asaj që shpenzuan për të bërë armë bërthamore, askush nuk do të duhej të vdiste në Korenë e Veriut nga uria, por regjimi zgjodhi të na bënte të uritur”- shtoi ajo.

Park gjithashtu thotë se fëmijët në shkolla mësoheshin të respektojnë familjen e Kim si udhëheqës të ngjashëm me zotin me fuqi të mbinatyrshme.

Kur Park ishte fëmijë, Kim Jong-il ishte ende udhëheqësi suprem i vendit, para se të vdiste në vitin 2011 dhe të pasohej nga djali i tij Kim Jong-un.

Park tha se nuk kishte ‘asnjë koncept për miqtë’ në shkolla ku nxënësit detyroheshim të ktheheshin kundër njëri-tjetrit në të ashtuquajturat ‘seanca kritike’.

Shumë pak njerëz kalojnë në Korenë e Jugut, por disa dezertorë si Park dhe nëna e saj i shpëtojnë mbretërisë përmes Kinës.

Vetëm në moshën 13 vjeç, Park thotë se ajo ishte ‘shitur’ tek trafikantët për 260 dollarë dhe të dyja ajo dhe nëna e saj u përdhunuan nga rrëmbyesit e tyre.

Pas gati dy vitesh me rrëmbyesit e tyre, Park dhe nëna e saj rrezikuan jetën për të shpëtuar në Mongoli duke kaluar shkretëtirën e ngrirë Gobi.

Park më pas u transferua në Seul dhe më vonë në Neë York City dhe në Chicago, por thotë se disa nga të afërmit e saj në Korenë e Veriut janë zhdukur.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *