Australia do të prodhojë dhe shpërndajë gati 85 milion doza të vaksinave të reja COVID-19 në fillim të vitit 2021, sipas një marrëveshje me dy kompani farmaceutike, nëse provat janë të suksesshme.
Sipas marrëveshjes të bërë të ditur të hënën, me vlerë rreth 1.7 miliardë dollarë, Universiteti i Oksfordit me AstraZeneca dhe Universitetin e Queensland me CSL do të sigurojnë më shumë se 84.8 milion doza vaksinash për popullsinë australiane, pothuajse tërësisht të prodhuara në Melburn.
“Australianët do të fitojnë akses falas në vaksinën kundër COVID-19 në 2021 nëse provat provojnë të suksesshme”– tha kryeministri Morrison.
“Nuk ka garanci se këto vaksina do të rezultojnë të suksesshme, megjithatë marrëveshja e vë Australinë në krye të radhës, nëse ekspertët tanë mjekësorë u japin vaksinat dritën jeshile”– shtoi ai.
Morrison tha se vaksinat duhet të provohen të sigurta, efektive dhe të plotësojnë kërkesat rregullatore përpara se të shpërndahen në popullsinë australiane, megjithëse vaksinimi kundër COVID-19 nuk do të jetë i detyrueshëm.
Njoftimi vjen ndërsa Australia vazhdon të luftojë me një shpërthim të dytë të epidemisë me epiqendrën në qytetin e Melburnit. Vala e dytë filloi në fund të qershorit kur pretendohet se u shkelën kufizimet në qendrat e karantinës për udhëtarët që mbërrinin nga jashtë.
Australia ka shënuar rreth 26,300 raste COVID-19 që nga fillimi i pandemisë, nga të cilët 762 njerëz kanë vdekur.