Parlamenti ka nisur sesionin e shtatë plenar. Në nisje të seancës në sallë u vu Himni Kombëtar ndërsa deputetët u ngritën në këmbë duke kënduar vargjet.
Fjalën e mori i pari kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili tha se marrëveshja e 5 qershorit mes partive politike garanton pjesëmarrjen e gjithëpërfshirjen.
Po kështu Ruçi tha se në këtë sesion, Gjykata Kushtetuese do bëhej funksionale, që është një nga kushtet për çeljen e negociatave me BE-në.
Ai përshëndeti marrëveshjen e nënshkruar në Uashington me Kosovës e Serbisë duke thënë se ajo i hap rrugën njohjes së ndërsjellë.
Ruçi tha ndër të tjera se Kuvendi i kishte bërë detyrat si duhet lidhur me procesin e çeljes së negociatave për anëtarësimin në BE.
Ai tha se reforma zgjedhore po shkon drejt fundit e po kështu po përmbyllet edhe reforma zgjedhore duke theksuar se ‘prandaj dëshiroj edhe njëherë të bëj të qartë se ndryshimet kushtetuese për sistemin zgjedhor nuk ishin as një tirani apo hile e shumicës, dhe as prishje e rregullave të lojës, por jetërsim i forcës së parlamentarizmit, i vullnetit të pakicës parlamentare e, ç’është më e rëndësishmja, i vullnetit të shumicës së shqiptarëve. Këto ndryshime nuk ishin një vetëtimë në qiell të pastër, por ishin sinjalizuar nga opozita parlamentare në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Këtë vullnet politik konsistent ajo e solli në Kuvend, duke depozituar më 15 qershor nismën ligjore për ndryshime kushtetuese. Kuvendi u hapi rrugën këtyre ndryshimeve, i bindur se ato e bëjnë garën elektorale më konkurruese dhe qytetarët më përcaktues në zgjedhjen e grave dhe burrave që do t’i përfaqësojnë në Kuvendin e Shqipërisë.’