Vendosni fjalën kyçe....

Ruçi: U mbush kupa, Gjykata Kushtetuese duhet të krijohet brenda këtij viti


Me fillimin e sesionit të ri Parlamentar, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi iu drejtua organeve të reja të drejtësisë që të nxitojnë me krijimin e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë.

Ruçi kërkoi që Gjykata Kushtetuese të krijohet brenda këtij sesioni parlamentar dhe gjykatësit të fillojnë nga puna më 1 Janar 2021.

Për Kryetarin e Kuvendit është “mbushur kupa” me vonesat që kanë krijuar organet e drejtësisë me përzgjedhjen e kandidaturave.

Në ecurinë e reformës në drejtësi, vazhdoi asimetria midis investimit politik e ligjor të Kuvendit për ndërtimin dhe bërjen funksionale të organeve të reja të sistemit dhe inercisë së institucioneve, sidomos KLGj dhe KED, të cilat po vonojnë ngritjen e tyre.

Konsensusi i forcave politike e qytetarëve për reformën në drejtësi mbështetej në premisën se institucionet e drejtësisë nuk mund të reformonin vetveten.

Vonesat dhe inercia e sistemit, me të cilat vazhdojmë të ndeshemi, tregojnë sesa e domosdoshme ishte kjo reformë dhe sa jetike po bëhet ajo për fatin e Shqipërisë. 

Në takimin vjetor të Mekanizmit Institucional Kuvend-Institucione të Pavarura-Qeveri, në maj, unë u bëra apel institucioneve të drejtësisë, pa cenuar pavarësinë e tyre, t’u japin fund zvarritjeve në bërjen funksionale të organeve të sistemit.

Pas takimit me Presidentin e Republikës me 30 qershor, i kërkova  KED-it me një letër përshpejtimin e procedurave të verifikimit të kandidatëve  që   Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale  për  vendimmarrje, të cilat kërkojnë  të paktën  6 anëtarë.

KED-i, pas miratimit të amendamenteve mbi procedurën e verifikimit, vlerësimit, pikëzimit e renditjes së kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese, vendosi ndalimin e kandidimit për  kandidatët për dy vendet vakante të shpallura nga Kuvendi e  Presidenti i Republikës.

KED-it iu desh gati një vit të shqyrtonte dy kandidatura!

Me këto vonesa të zgjatura, tashmë kupa ka filluar të derdhet dhe ky shpërpjestim midis investimit të Kuvendit dhe investimit institucional të një pjese të organeve të reja të sistemit, nuk do të tolerohet më.

Edhe pse Kuvendi ka hapësira të kufizuara për të nxituar organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre, nuk do të falim asnjë vonesë.

Brenda këtij sesioni, me hir ose me pahir, Gjykata Kushtetuese do të bëhet funksionale. Më 1 janar 2021 gjyqtarët e rinj kushtetues do të kenë filluar nga puna.

Çdo institucion i shtetit, i përfshirë në këtë proces, ta lexoj qartë këtë apel të Kuvendit!

KLGj, më 27 shkurt 2020, i propozoi Presidentit të Republikës tre kandidatë për anëtarë të Gjykatës së Lartë nga radhët e juristëve të spikatur, të cilët u  dekretuan.

Më 26 shkurt 2020 KLGj hapi procedurën e ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, për gjashtë pozicione të lira dhe ftoi për aplikim të gjithë gjyqtarët që plotësojnë kriteret ligjore. Aplikuan 25 kandidatë dhe KLGJ po shqyrton këto kandidatura.

Do të nxisja anëtarët e tij të veprojnë në minimumin e afateve kushtetuese e ligjore, për të përmbyllur këtë proces dhe për të hedhur një hap të vendosur drejt bërjes së Republikës me Gjykatë të Lartë”-deklaroi Ruçi.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *