Partia Demokratike ka denoncuar pagesën e 10 milionë eurove ndaj kompanisë së Edmond Begos nga ana e qeverisë.
Në deklaratën e lexuar nga ish-deputetja Vokshi, thuhet se autostrada Tiranë-Elbasan është një nga modelet sesi veprat publike janë përdorur nga kryeministri për të futur në xhepat e pushtetarëve milionë euro.
“Autostrada Tiranë-Elbasan është një nga modelet sesi veprat më të mëdha publike janë përdorur nga qeveria e Edi Ramës për të futur në xhepat e pushtetarëve miliona euro përmes nënkontraktorëve të diktuar nga qeveria. Trafikanti i drogës Edmond Bego është prova më e qartë dhe e pakundërshtueshme se ai hyri si nënkontaktor pas vitit 2015 dhe u pagua 10 milionë euro për punimet në autostradë vetëm pasi lidhi miqësi me Taulant Ballën. Pagesat për mikun trafikant të numrit 2 të Partisë Socialiste, përmes kompanisë ‘Inerte Express’, janë të shkruara e zeza mbi të bardhë. Janë 10 milionë euro të paguara kundër ligjit si nënkontraktor për punimet në autostradën Tiranë – Elbasan, që kur Edmond Bego u bë mik familjar me Taulant Ballën.” – tha Vokshi.
Më tej demokratja shtoi se lista e pagesave për kompaninë e Begos, mikut të Taulant Ballës, tregon se punimet janë kryer për firmën ‘Aktor’ nga viti 2015 deri në vitin 2018 në kundërshtim me ligjin duke i bërë thirrje prokurorisë që të hetojë rastin në fjalë. Vokshi theksoi gjithashtu se Edmond Bego e ka të ndaluar të garojë për tendera publikë pasi është i dënuar për trafik droge.
“Lista e pagesave tregon se punimet e trafikantit të Taulant Ballës janë kryer për firmën ‘Aktor’ nga viti 2015 deri në vitin 2018 në kundërshtim me ligjet e vendit. Ky është një rast që duhet të hetohet me prioritet nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion. Trafikanti i drogës Edmond Bego e ka të ndaluar nga ligji i prokurimeve publike që të marrë pjesë në tendera. Sipas ligjit asnjë i dënuar për trafik droge nuk mund të përfitojë para publike. Por, kur një trafikant është mik i Taulant Ballës, ligji shkelet me të dyja këmbët nga qeveria e Edi Ramës, duke i bërë dhuratë atij 10 milionë euro. Për këtë drejtësia duhet të hetojë. SPAK dhe organet e tjera të hetimit duhet të verifikojnë të gjithë procedurën sesi i dënuari Edmond Bego ka marrë në shkelje të ligjit 10 milion euro nga qeveria shqiptare.” – vijoi denoncimin Vokshi.
Në fund ajo tha se zbardhja e aferës do çojë në zbulimin e Taulant Ballës e Edi Ramës pasi sipas Vokshit, Bego ka informacione që mund t’i interesojnë SPAK-ut.
“Duke zbardhur këtë aferë, prokuroria do të bjerë në gjurmët e Taulant Ballës dhe të vetë Edi Ramës, duke i bërë vendit një shërbim të paçmuar në luftën e vërtetë kundër korrupsionit. Miku i gjithëpushtetshëm i Mond Begos, Taulant Balla, di shumë gjëra që SPAK-ut i interesojnë. U interesojnë edhe shqiptarëve, të cilët sot duhet të fillojnë e të paguajnë një më një 44 milion eurot, si dënim nga Arbitrazhi Ndërkombëtar për sjelljen korruptive të qeverisë me autostradën Tiranë-Elbasan. Përgjegjës për këtë gjobë tjetër të madhe, që do ta paguajnë shqiptarët me taksat e tyre, është Edi Rama dhe Taulant Balla. Është koha për t’i dhënë fund me votë plebishitare qeverisjes që paguan 10 milionë euro trafikantin e drogës dhe ngarkon qytetarët më të varfër të Europës me gjoba korrupsioni.” – mbylli denoncimin Vokshi.