Këngëtarja Britney Spears ka publikuar një video në “Instagram” ku shfaqet pa grim në fytyrë. Ajo u shfry për kritikat që ajo dhe artiste të tjera femra marrin përgjatë gjithë jetës së tyre, lidhur me pamjen e jashtme.
“Për herë të parë në jetën time jam pa shumë grim! Këto klipe tregojnë një vështrim më të afërt të fytyrës time, gjë që është shumë e frikshme për mua… ju në të vërtetë mund të shihni qukat e mia këtu:”– shkruan këngëtarja krahas videos.
Vazhdimisht Britney ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale për pamjen e saj të jashtme, duke marrë kritika për shtimin në peshë, apo rrudhat në fytyrë. Dhe duket se do t’i japë fund këtyre duke dhënë dhe një mesazh të rëndësishëm për vajzat e reja.
“Të rritesh në Hollywood mund të jetë e vështirë! Gjithçka ka të bëjë me pamjen e jashtme… dhe shtypi mund të jetë goxha i keq… Pse duket ajo kaq e moshuar… Pse duket kaq e re… Pse kaq e madhe… Pse shumë e dobët?!”– shkruan Britney.
Për të theksuar këtë, këngëtarja afrohet disa herë pranë kameras që t’i duken qukat sa më mirë.
“Siç thotë Selena Gomez… bota mund të jetë një vend i keq … vritini ata me mirësi … Zoti ju bekoftë të gjithëve.”– e mbyll artistja.