Vendosni fjalën kyçe....

Ethet e fushatës, Trump dhe Biden përplasen për vaksinën kundër Covid-19


 

Kanë filluar të ndihen ethet e fushatës në SHBA. Presidenti amerikan Donald Trump dhe rivali i tij Joe Biden, kanë fyer njëri-tjetrin lidhur me qëndrimet e tyre për vaksinën kundër Covid-19.

Presidenti Trump përsëri la të kuptohet se një vaksinë mund të jetë në dispozicion para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Ai akuzoi rivalët e tij demokratë për president dhe zv.presidente, për “retorikë të pamatur anti-vaksinës” dhe shtoi se ata duhet t’i kërkonin falje.

Biden nga ana tjetër shprehu skepticizëm nëse Trump do të dëgjonte shkencëtarët dhe të zbatonte një proces transparent.

SHBA-të kanë regjistruar gjashtë milion raste të koronavirusit, si dhe gati 190,000 vdekje. Po ashtu pandemia ka ushqyer një recesion të madh, ka rritur papunësinë dhe ka ulur besimin e konsumatorit.

Javën e kaluar doli lajmi që Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) u kishin kërkuar shteteve të konsiderojnë shpërndarjen e një vaksine deri në 1 nëntor – dy ditë para zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Por asnjë vaksinë nuk ka përfunduar ende provat klinike, duke bërë që disa shkencëtarë të kenë frikë nga politika se po shtyn daljen e vaksinës në mënyrë të nxituar, pa kryer të gjitha testimet e nevojshme.

Si Joe Biden dhe Kamala Harris kanë vënë në dyshim besueshmërinë e presidentit për këtë çështje. Zonja Harris tha të dielën se nuk do t’i besonte fjalës së Trump-it se një vaksinë ishte e sigurt dhe Biden gjithashtu vuri në dyshim nëse publiku i gjerë do t’i besonte atij.

“Ai ka thënë aq shumë gjëra që nuk janë të vërteta, unë jam i shqetësuar se nëse kemi një vaksinë vërtet të mirë njerëzit do të hezitojnë ta marrin atë”– tha Biden në Pensilvani të hënën. Por ai shtoi se: “Nëse do të mund të bëja një vaksinë nesër, unë do ta bëja atë. Edhe nëse më kushton zgjedhjet, unë do ta bëja atë. Ne kemi nevojë për një vaksinë dhe na duhet tani. Duhet t’i dëgjojmë shkencëtarët.”

Trump u kundërpërgjigj në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, duke e quajtur Biden-in “budalla” dhe zonjën Harris “personin më liberal në Kongres … por jo një person kompetent”.

Ai tha se ata “do të shkatërronin këtë vend dhe do të shkatërronin këtë ekonomi”, dhe shtoi se ata “duhet të kërkonin menjëherë falje për retorikën e pamatur të anti-vaksinës që ata po flasin tani”.
Trump përsëriti se një vaksinë mund të ishte gati muajin tjetër.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *