Vendosni fjalën kyçe....

Gazetari: Pacientët me Covid që trajtohen në shtëpi, paguajnë kura mbi 1 milion lekë


Pacientët e prekur me Covid-19, paguajnë deri në 1 milionë lekë të vjetra kura të përcaktuara nga mjekët e familjes, ndërsa kurohen në shtëpi.

Kështu ka raportuar gazetari Erjon Skëndaj sot nga Spitali Infektiv, ndërsa fliste lidhur me situatën e krijuar në dy spitalet Covid në Tiranë.

Por këta pacientë rrezikojnë që gjendja e tyre të përkeqësohet nga momenti në moment dhe të shtrohen më pas në gjendje të rënduar në spital.

“Sipas burimeve tona, por e konfirmuar edhe nga mjekë, mësojmë se një pjesë e mirë e pacientëve po trajtohen në kushte shtëpie, jo në spital. Kjo ka filluar të paktën prej 1 muaji, mjekët e familjes në bazë të një protokolli të ri të përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë, iu përshkruajnë pacientëve të prekur me Covid një listë medikamentesh që janë për trajtimin dhe jo për shërimin e sëmundjes.

Një medikament që iu kërkohet pacientëve të blejnë është medikamenti për hollimin e gjakut, apo për rritjen e imunitetit. Ka filluar muajin e fundit të këshillohet në masë edhe një trajtim, një dozë bazë me oksigjenoterapi që e paguajnë nga xhepi. Ne kemi intervistuar pacientë që thonë se kjo kurë në harkun e 20 ditëve e kalon çmimin e 1 milionë lekëve. Ata detyrohet të paguajnë nga xhepi dhe aparatin oksimetër që mat oksigjenin në gjak.

Ndaj sipas mjekëve, ky është një nga faktorët që po i mban pacientët disi larg nga spitali. Por kjo është thikë me dy presa, pasi në një anë i mban pacientët në shtëpi, e nga ana tjetër ata mund të rëndohen pa e kuptuar dhe ka ndodhur që rastet vijnë në forma të rënduara në spital dhe përfundojnë në terapi intensive, me 3 burime oksigjeni e në shumë raste në intubim dhe për rrjedhojë dhe në fatalitet të shpejtë.

Ndaj mjekët e kanë ngritur si apel, kanë një javë që e kanë bërë këtë por dje me forcë të madhe. Ata thonë se nëse oksimetri për pacientët shënon poshtë 90 të vlerës së oksigjenimit në gjak, ata menjëherë duhet t’i drejtohen 127-ës dhe të vijnë dhe mos ta lejojnë veten të rëndohen deri në atë pikë saqë as mjekët në Tiranë të mos i vijnë dot në ndihmë”,- deklaroi gazetari Skëndaj.

Aktualisht në të dy spitalet e Covidit janë mbi 200 pacientë të shtruar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *