Vendosni fjalën kyçe....

Liderat e G7-ës i kërkojnë Rusisë të gjejë përgjegjësit e helmimit të Navalny


Ministrat e Jashtëm të G7-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, e dënuan “helmimin e konfirmuar” të politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny, dhe kërkuan nga Rusia që t’i gjejë dhe ndjekë penalisht ata që qëndrojnë pas sulmit “të neveritshëm”.

“Ne, ministrat e Jashtëm të Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, bashkohemi në dënimin e helmimit të konfirmuar të Navalnyt, në termat më të fuqishëm të mundshëm”, thanë ata në një deklaratë të përbashkët, të lëshuar nga Departamenti amerikan i Shtetit të martën.

Diplomatët e lartë po ashtu i bënë thirrje Rusisë që “të vendosë transparencë, urgjentisht dhe plotësisht, mbi ata që janë përgjegjës për këtë sulm të neveritshëm të helmimit”, si dhe “t’i sjellë autorët e tij përpara drejtësisë”.

Navalny, 44 vjeç, i cili ka udhëhequr protesta mbarëkombëtare kundër presidentit rus, Vladimir Putin, është dërguar në Gjermani më 22 gusht, dy ditë pasi është sëmurë në një fluturim për në Siberi.

Ekspertët gjermanë kanë thënë se testet tregojnë se ai është helmuar me Noviçok, një agjent nervor, i prodhuar në ish-Bashkimin Sovjetik.

Autoritetet ruse kanë refuzuar të nisin hetime, duke thënë se nuk janë gjetur prova të fuqishme të helmimit.

Kremlini gjithashtu i ka mohuar akuzat nga ekipi i Navalnyt, të afërmit e tij dhe të tjerët, që besojnë se autoritetet ruse qëndrojnë pas helmimit.

Navalny vazhdon të trajtohet në Spitalin Charite në Berlin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *