Vendosni fjalën kyçe....

Vasili thirrje qeverisë: Paketë e veçantë shërbimi e barna falas për qytetarët që kurohen në banesë nga Covid-19


Nënkryetari i LSI-së, Vasili, i ka bërë thirrje qeverisë që t’u ofrojë shërbimin falas e mjekim në shtëpi pacientëve të prekur nga Covid-19 që nuk shtrohen në spital por mjekohen në banesë.

Në një deklaratë nga selia e LSI-së, Vasili tha se fokusi i Ministrisë së Shëndetësisë ishte qartësisht larg këtij grupi të madh qytetarësh të prekur nga koronavirusi i ri e që mjekohen në banesë.

“Ministria e Shëndetësisë qartësisht ka hequr fokusin dhe ka nxjerrë jashtë vëmendjes së saj këtë masivitet rastesh dhe është përqendruar qoftë në mbështetje, qoftë në daljen mediatike, qoftë në propagandën mediatike vetëm në QSUT. Sot në Shqipëri ku 150 të sëmurë në ditë ekzaminohen me Covid, është fare e qartë që një numër fare i vogël i tyre shkon në spitalet tona dhe dhjetëra e qindra të tjerë vazhdojnë trajnimin e tyre në banesë. Sot përpara të gjithë shqiptarëve ekzistojnë dy probleme të mëdha: problemi si duhet i këtyre pacientëve në banesë dhe e dyta, mundësia e mbulimit me shërbim mjekësor me barna dhe me të gjitha shtesat e tjera mjekësore që i duhen një trajtimi të plotë me Covid. Është fakt që mjaft të sëmurë kanë qëndruar për një kohë të gjatë në banesë pa pasur kujdesin e duhur shëndetësor, pa pasur një protokoll të mirëfilltë mjekësor dhe për pasojë gjendja e tyre është përkeqësuar dhe ata kanë humbur jetën e tyre duke ardhur në spital në një moment shumë të vonë, pothuajse të pamundur për t’u ndihmuar më tej. Sot përpara të gjithë opinionit publik është një domosdoshmëri imperative, një detyrim shtetëror, një detyrim ligjor që të krijohet qendra e koordinimit për të gjithë rastet me Covid pozitiv, të cilët trajtohen banesë.” – tha Vasili.

Ai e vijoi deklaratën duke theksuar se për qytetarët që trajtohen në banesë duhet të krijohet një paketë shërbimi e veçantë e barnat e tyre të paguhen nga shteti.

“Të krijohet paketa e shërbimit në banesë për ta. Qoftë e kujdesit mjekësor, ashtu dhe atij infermieror. Të sigurohet që të gjithë barnat që përdorin këta të sëmurë me Covid të jenë gratis dhe të paguhen nga shteti pasi jemi në një moment të një gjendje të jashtëzakonshme shëndetësore. Gjithashtu të ndërmerren të gjitha hapat dhe të miratohen paratë e duhura, paketat, mekanizmi shumë i shpejt, monitoruesi dhe implementuesi i përditshëm që këto të sigurohen pa asnjë pagesë, ku gjithashtu të parashikohet dhe rimbursimi i të gjithë atyre pacientëve, të cilët janë trajtuar në banesë, e të cilëve trajtimi në banesë u ka kushtuar qimet e kokës e në shumë raste dhe me një përfundim fatal.” – shtoi Vasili.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *