Lëvizja Vetëvendosje i është rikthyer mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Hoti.
Në një konferencë për mediat, Glauk Konjufca, tha se marrëveshja e nënshkruar mes Kosovës e Serbisë në Uashington mbështetet vetëm nga gjysma e LDK-së e Nismës dhe i ka kërkuar edhe AAK-së së Haradinajt që të rishohë pozitat e saj në qeveri.
Ai vuri në dukje se nëse Aak-ja e PDK-ja i bashkohet nismës së Vetëvendosjes për mocionin e mosbesimit, atëherë mblidhen votat e nevojshme për rrëzimin e qeverisë, shkruan Lajmi.
“Një kryeministër jo-legjitim si Hoti shkon atje dhe e qet nënshkrimin në nja marrëveshje që Kosovën e kthen në një subjekt jo-serioz të raporteve ndërkombtare. Kushtetuta thotë se Kosova anëtarësohet në organizata ndërkombëtare. Nënshkrimi i Hotit në marrëveshje e shkel Kushtetutën e Kosovës. Këtë fjalë timen dua ta përfundoj me dy konstatime. Që kjo është një marrëveshje shumë e dëmshme për Kosovën me tema që përpara i ka shtyrë Vuçiqi. Këto marrëveshje qeveria e ardhshme e VV-së nuk ndjen asnjë obligim që t’i qëndrojë prapa nënshkrimeve të kryeminsitrit jolegjitim Avdullah Hoti. Meqenëse këtë marrëveshje po e përkrah vetëm gjysma e LDK-së dhe gjysma e Nismës atëherë është moment i mirë që ta rikthejmë mocionin e mosbesimit. Është koha që edhe PDK-ja dhe AAK-ja të reflektojnë pasi që vetëm nuk po pajtohen me këtë marrëveshje, që t’i bashkojmë nënshkrimet tona. Nëse iniciativës tonë i bashkohet AAK dhe PDK, atëherë mendoj që votat janë të mjaftueshme që kjo qeveri të dërgohet në shtëpi.” – tha ndër të tjera Konjufca.