Liga Arabe ka hedhur poshtë një projekt-rezolutë që dënon marrëveshjen e diskutueshme midis Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Izraelit për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre, tha sot një burim diplomatik palestinez.
Palestina dhe vendet arabe u pajtuan që në marrëveshjen përfundimtare të theksohet angazhimi ndaj Nismës Arabe të Paqes 2002, zgjidhjen me dy shtete dhe parimin tokë për paqe, tha burimi në kushte anonimiteti raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas burimit, si Palestina ashtu edhe vendet arabe ranë dakord që të mos përfshihej një dënim i qartë i marrëveshjes EBA-Izrael, tha ai.
Burimi diplomatik tha se megjithatë, disa shtete arabe u përpoqën të shtonin disa dispozita për t’i dhënë një formë legjitimiteti marrëveshjes së normalizimit. Ai nuk i përmendi me emër këto vende.
“Si kundërpërgjigje, Palestina paraqiti një projekt-rezolutë që dënon marrëveshjen e normalizimit EBA-Izrael”. tha burimi.
“Vendet Arabe, megjithatë, votuan kundër projekt-rezolutës”, shtoi ai.
Më herët gjatë ditës, ministri i Punëve të Jashtme të Palestinës, Riyad al-Maliki, u bëri thirrje vendeve arabe të refuzojnë marrëveshjen e normalizimit EBA-Izrael.
Më 13 gusht, EBA dhe Izraeli njoftuan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre, duke përfshirë hapjen e ambasadave në territorin e njëri-tjetrit.