Pezullohen përkohësisht studimet në fazat e fundit të vaksinës së mundshme të kompanisë AstraZeneca dhe Universitetit të Oksfordit për COVID-19, pasi po hetohet nëse një sëmundje e pashpjegueshme e një vullnetari ka qenë efekt i saj.
Në një deklaratë të martën në mbrëmje, kompania tha se “procesi i saj standard i kontrollit, shkaktoi një pauzë të vaksinimit për të analizuar të dhënat e sigurisë”.
Kompania nuk nxorri ndonjë informacion për efektin e mundshëm anësor përveçse e quajti “një sëmundje mundësisht e pashpjegueshme”, shkruan BBC.
Faqja e lajmeve shëndetësore STAT ishte e para që njoftoi për ndaljen e testimit, duke thënë se efekti i mundshëm anësor kishte ndodhur në Britani.
Shpresat kanë qenë të mëdha se vaksina mund të ishte nga të parat që do të dalë në treg, pas testimit të suksesshëm të fazës 1 dhe 2.
Kalimi në fazën 3 të testimit në javët e fundit ka përfshirë rreth 30,000 pjesëmarrës në SHBA si dhe në Mbretërinë e Bashkuar, Brazil dhe Afrikën e Jugut. Provat e fazës 3 në vaksina shpesh përfshijnë mijëra pjesëmarrës dhe mund të zgjasin disa vjet.
Kjo është hera e dytë që testimi i vaksinës së koronavirusit në Oksford vihet në pritje. Ngjarje të tilla janë rutinë në sprova të mëdha dhe ndodhin sa herë që një vullnetar shtrohet në spital kur shkaku i sëmundjes së tyre nuk dihet menjëherë.
Mendohet se testimet mund të rifillojnë për disa ditë.