Ish-ministrja e Integrimit në qeverisjen e Partisë Demokratike në periudhën 2007-2013, Majlinda Bregu, ka dhënë një intervistë për DW, ku ka cekur edhe çështjen e një rikthimi të mundshëm në PD.
Në fund të intervistës, Bregu u pyet nga gazetarja nëse kishte pasur ndonjë ftesë për për t’u kthyer në PD teksa vendi po i afrohet zgjedhjeve, ajo u përgjigj se është anëtare e PD-së dhe nuk pret ftesë nga askush për të qenë pjesë e familjes demokrate.
“Jo, nuk kam ndonjë ftesë direkte dhe nuk kam se për çfarë të ftohem, se unë jam anëtare e Partisë Demokratike dhe nuk besoj se duhet që të të ftojë kush për të qenë pjesë e familjes. E kam vendosur prej vitesh, nuk pres që të më thotë njeri për të qenë në Partinë Demokratike. Por, shpresoj shumë që zgjedhjet e vitit të ardhshëm të jenë zgjedhje, të cilat realisht të kenë mundësi të përmbushin gjithë standardet. Kaq për sot.” – tha Bregu për DW.
Majlinda Bregu u zgjodh në postin e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal në janar 2019, pas propozimit të bërë nga kryeministri Rama.