Një qytetare ka denoncuar kryeministrin Rama lidhur me një telefonatë të bërë nga ky i fundit.
Bëhet fjalë për Manjola Cakonin, e cila humbi bashkëshortin dhe vajzën në tërmetin e 26 nëntorit, e cila ka pohuar se pas denoncimit ndaj qeverisë për mungesën e ndihmës së premtuar, kryeministri Rama e ka marrë në telefon duke i thënë ‘të ketë turp për atë që ka bërë’.
Vetë qytetarja rrëfen se nuk ka bërë asnjë turp por ka kërkuar të drejtën e saj dhe të djalit të saj, të vetmit të mbijetuar nga tërmeti.
“Dje dola në televizor dhe tregova hallin tim, shqetësimin tim për vete dhe për fëmijën tim. Dhe kur pashe veten aty u ndjeva shumë keq, dhe pastaj kam shkuar në spital. Shkova në spital. Rrugës kur po vija nga spitali, më merr në telefon dikush nga kryeministria. Përgjigjet mami im, se unë isha e sëmurë dhe i thotë:’ Turp të ketë Manjola!’ ‘Turp të ketë Manjola!’ Unë nuk besoj se kam bërë ndonjë turp. Kam kërkuar të drejtën time dhe për fëmijën tim. Asnjë gjë tjetër s’dua. Vetëm dua të drejtën time, për vete dhe për fëmijën tim dhe kaq. Ai i kishte thënë: ‘Edi jam. Edi Rama jam. ‘Turp të ketë Manjola për atë që ka bërë sot. ‘Unë isha e sëmurë isha me serum, isha shumë keq. Se po të isha në rregull do t’i thoja: Unë nuk kam bërë ndonjë turp, turp ke bërë ti, që më le mua më çove deri në këtë pikë. Sa të arrijë edhe të shkoj në spital. Ndoshta do që të vdes dhe unë dhe të bëhemi tre viktima tamam edhe t’i japësh lekë djalit tim. Kaq kisha.” – pohon Cakoni.