Veprimi i një polici spanjoll shkaktoi zemërim në internet pasi u filmua duke shtypur qafën e një djali katërmbëdhjetë vjeçar me gju, për ta ndaluar atë, gjoja për shkak se adoleshenti nuk kishte veshur maskën e fytyrës siç duhet.
Incidenti u kap në kamera nga kalimtarët në qytetin verior të Miranda de Ebro. Në pamjet e publikuara, qytetarët mund të shihen duke u mbledhur rreth policit, duke protestuar ndaj trajtimit të djalit.
Një person madje shihet duke u përpjekur ta largojë policin. Autoritetet këmbëngulin se videoja ishte marrë ‘jashtë kontekstit’, duke pretenduar se adoleshenti sulmoi oficerin para se kamera të fillonte të filmonte.
“Pamjet janë të rënda por përgjigjja ishte e përshtatshme dhe proporcionale me atë që ndodhi.” tha këshilltari i sigurisë, Pablo Gomez.
Ai më tej shtoi se djali u përpoq të sulmonte policin me një zinxhir, pasi u kërkua të vinte si duhet maskën e tij, në mënyrë që ajo të mbulonte gojën dhe hundën.
“Para se të bëjnë një gjykim njerëzit duhet të dinë versionin e plotë të ngjarjes.”