Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria s’kthen përgjigje, shtyhet pa afat rifillimi i kampionatit shqiptar të futbollit


Shtyhet pa afat nisja e sezonit të ri 2020/2021 të Superligës së futbollit në vend.

Njoftimi është bërë nga Federata Shqiptare e Futbollit sipas së cilës ishte pranuar kërkesa e Ligës Profesioniste për rifillimin e kampionatit.

Shtyrja vjen teksa qeveria e Kuvendi nuk i kanë kthyer ende një përgjigje letrës së Ligës Profesioniste.

“Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së më datë 10.09.2020, pasi u njoh me kërkesën e paraqitur nga Liga Profesioniste për shtyrjen e datës së fillimit të kampionatit të Kategorisë Superiore, sezoni 2020/2021 vendosi të miratojë kërkesën e Ligës Profesioniste të Futbollit për shtyrjen e datës së fillimit të sezonit futbollistik 2020/2021 me afat të pacaktuar. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.” – thuhet në vendimin e FSHF-së.

Presidentët e klubeve të Ligës Profesioniste u mblodhën në Minsk të Bjellorusisë pak ditë më parë, në ndeshjen e kombëtares dhe dolën me një qëndrim me katër pika.

Deklarata e Ligës Profesioniste

Nga Bjellorusia, Liga doli me deklaratën e mëposhtme: Sot në mbledhjen e ligës së klubeve të Kategorisë Superiore të Shqipërisë, zhvilluar ne Minsk të Bjellorusisë, morën pjesë 9 klube nga 10 gjithsej. Pas një diskutimi të kujdesshëm dhe serioz, ne presidentët e klubeve vendosëm njëzëri dhe me unanimitet të plotë:

1.)Të çojmë deri në fund luftën tonë për plotësimin e katër kërkesave drejtuar qeverisë një muaj më parë:

a. Të ulet TVSH në masën 6%.

b. Të falen gjobat dhe kamatëvonesat e detyrimeve tatimore, fiskale e të sigurimeve të prapambetura.

c. Efektet e pezullimit të tatimit mbi të ardhurat personale të lojtarëve, të shtrihen nga 2 në 10 vite.

d. Te miratohet Ligji i vërtetë i Sponsorizimeve, në vend të mashtrimit të qeverisë, që sot propagandohet si Ligj Sponsorizimit për Sportin.

2) Të apelojmë komunitetin e futbollit shqiptar, që debuton brenda e jashtë kufijve tanë shtetërorë, bashkësinë e sporteve të tjera, inteligjencën dhe shoqërinë shqiptare, të bashkohen me luftën tonë të drejtë e të ligjshme.

3) Ftojmë Qeverinë, në tavolinën e bisedimeve. Katër kërkesat tona janë një pjesë shumë e vogël e premtimeve gënjeshtare të kahershme e të përsëritura të qeverisë. Qeveria duhet të na dëgjojë dhe t’i plotësojë këto kërkesa minimale.

4) Ne nuk do tërhiqemi nga bojkoti ynë i kampionatit sa kohë nuk do dëgjohemi. Në datën 12 shtator kampionati ynë i Kategorisë Superiore nuk do të luhet. Ne do të protestojmë me qytetari e vendosmëri në bulevardet e Shqipërisë dhe nuk do të kthehemi më në fushat e blerta të stadiumeve, pa u përmbushur të katër kërkesat tona.  Ne do të bëjmë të njohur për opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar gjendjen katastrofike të klubeve shqiptare për shkak të politikave të gabuara e të papërgjegjshme të shtetit dhe qeverisë shqiptare”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *