Vendosni fjalën kyçe....

Shkëlzen Buçi flet nga burgu: E kam shpirtin e përvëluar për motrën, s’di të qëlloj me armë


Shkëlzen Buçi, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e motrës së tij, Eglantina, ka thyer heshtjen duke folur për herë të parë për ngjarjen në një program televiziv.

23-vjeçarja Eglantina Buçi u gjet e pajetë 8 vite më parë në Malin me Gropa dhe Policia njoftoi ditë më parë se më në fund kishte zbardhur vrasjen, duke i drejtuar gishtin si fajtor babait dhe vëllait të viktimës.

Në një intervistë për emisionin “Me zemër të hapur”, Buçi i bëri thirrje dëshmitarit që e bëri atë fajtor, që të tregojë të vërtetën duke mohuar gjithçka.

Buçi i cili aktualisht është prapa hekurave për një tjetër vrasje të kryer në vitin 2017, tha se nuk di as të qëllojë me armë, pasi nuk kishte bërë ushtri. Ai tha se edhe për atë krim që ka kryer, nuk e kishte bërë të saktë.

“Dëshmitari duhet të tregojë të vërtetën. Për mua mjafton që të gjejë personi i vërtetë që ka vu dorën mbi motrën time, dhe unë le të vdes. S’kam asnjë kompleks për dënimin. Kam shpirtin e djegur dhe të përvëluar. Mbas vuajtjen e çuan e bënë copa në Malin me Gropa dhe na nxorën familje horror. Do të lutem, shokut tim i drejtohem, që t’i nxjerr të gjitha të vërtetat. Mos hidh baltë se unë jam në burg, se unë jam në burg e babai im po. Se kam bërë një krim, s’do të thotë se jam kriminal, e thua se kam vrarë motrën time. Kam besim tek drejtësia se kjo çështje do të hetohet. E kam besimin tek gazetaria më shumë. Nëse unë kam marrë pjesë tek këto itinerare, një nga detajet do e nxjerrin të vërtetën. Unë nuk mund të identifikojë askënd për sa kohë që unë nuk kam prova. Se po të kisha prova s’do kisha ardhur këtu. Do i kisha bërë lëvizjet e mia, me shtet, pa shtet. S’mund të identifikojë një njeri specifik. Unë di të them një gjë që; i lutem zotërisë, që të tregohet i sinqertë pa komplekse, pa presione. Të tregojë të vërtetën, siç e dinë. Jo të shpif, Në fund të fundit çdo gjë duhet të provohet.”, tha Buçi, citon Balkanweb.

E pyetur nga gazetarja, Buçi deklaroi se nuk kishte qenë kurrë në Malin me Gropa me dëshmitarin, e as me persona të tjerë.

Ai përsëriti se i intereson e vërteta, edhe sikur të jetë babai i tij vrasësi. Buçi thotë se ka besim tek organet e drejtësisë që do të zbardhin vrasjen e të motrës.

“Kurrë. Për armën që kam kryer krimin…shiko këtu. Kurrë. Unë nuk kam bërë ushtri. S’di të përdor armë. Edhe personin që unë….skam qenë në gjendje me gjuajt drejt. Kam shkrehur 8 plumba dhe ato kanë ikur lart e poshtë. Skam qenë i përgatitur. Kam qenë në depresion. Skam përdorur kurrë armë. Ekspertiza do të nxjerrë gjëra të tjera, e të tjera. Kam besim se e vërteta e motrës time do të dal. Ju lutem hetoni, investigimi. Nxirrni zanafillën. Qofsha unë, babai im, xhaxhai im. Kushdo qoftë, më intereson e vërteta.”– thotë ai.

Krimi makabër dhe dyshimet e policisë

Sipas dosjes së policisë, dyshohet se babai Faik Buci kishte planifikuar vrasjen, ndërsa vëllai i vajzës, Shkëlzeni, e kishte ekzekutuar të renë me plumb në kokë te Mali me Gropa. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 14 shtator 2012.
Policia thotë se më pas, të dy babë e bir tentuan të fshehin kufomën dhe historia mbeti e pazbardhur për 8 vite. E gjithë kjo ndodhi vetëm pse 23-vjeçarja asokohe ishte larguar nga shtëpia për të bashkëjetuar me një person, por këtë e kundërshtonin babai dhe vëllai i saj.

Një muaj pas krimit, një gjuetar ka gjetur pjesë eshtrash të 23-vjeçares, të cilat ishin nxjerrë nga kafshët e egra. Nisur nga eshtrat e sekuestruara dyshohet se viktima është ekzekutuar me një plumb në kokë, që përshkon nofullën e majtë dhe del në pjesën e pasme të kafkës.

Ngjarja nuk arriti të zbardhej, sepse mbetjet e kufomës nuk mund të identifikoheshin.

Pas 8 vitesh

Një i penduar, shok i dikurshëm i Shkëlzen Buçit ka zbardhur vrasjen e Eglantina Bucit, e ndodhur në vitin 2012.

Ai është arrestuar në vitin 2017 për një vepër tjetër penale, ku tha se kishte dijeni për vrasjen e ndodhur në vitin 2012, vrasje të cilën e lidhte me Shkëlzen Bucin.

I penduari ka treguar se ai vetë ka transportuar Shkëlzen Bucin dhe motrën e tij me makinë dhe rrugës ka mësuar se Buci debatonte me të motrën për shkak të një lidhjeje të saj me një djalë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *