Vendosni fjalën kyçe....

A duhet të kufizohen mandatet e funksionarëve?


Kufizimi në dy mandate i funksioneve që nuk dalin nga zgjedhjet e drejtpërdrejta, hartimi dhe miratimi i metodologjive të përzgjedhjes së funksionarëve, ku vendbanimi nuk do të jetë parakushti kryesor, dhe përpilimi i një liste kadrovike me profile të të gjithë anëtarëve të partisë do të ishte një hap i rëndësishëm drejt parandalimit të përçarjeve që mbajnë të stër-fragmentarizuar skenën politike në vend. Njëkohësisht, do të siguronte hapësirë për më shumë kuadro nga gjenerata të ndryshme brenda partive që të dëshmohen në funksione të ndryshme publike e shtetërore“.

Autor: Xhelal Neziri

Kufizimi i mandateve është një çështje që shtrohet sa herë që ka kongrese partiake, përpilohen lista për deputetë e për këshilltarë, zgjidhen kryetarë komunash e shteti apo emërohen ministra, zv/ministra, sekretarë shtetërorë, drejtorë dhe zv/drejtorë.  Dhe gati përherë prodhon probleme në shoqëritë që nuk kanë përqafuar sa dhe si duhet vlerat demokratike.

Kësisoj, përzgjedhjet kadrovike nuk kalojnë pa një tronditje serioze brenda një partie politike. Kur zgjidhet kryetari i partisë, ose sigurohet që të mos ketë kundërkandidat, ose kongresi shndërrohet në arenë përplasjesh me grushte dhe karrige. Kur përpilohen listat për deputetë, mbledhjet rrallë kalojnë pa shkëputje degësh, pa hatërmbetje apo pa ndonjë flakareshë. Caktimi i funksionarëve qeveritarë nuk kalon pa “pushim aktiviteti” të ndonjë dege, figure të lartë partiak apo fraksioni të caktuar brenda subjektit. Nuk kanë qenë të rralla as shkëputjet e grupeve të pakënaqura dhe formimi i partive të reja duke pasur pikërisht pakënaqësinë e ndarjes së pozitave, e jo të ndonjë shmangie eventual nga programi apo ideologjia.

Ku qëndron problemi i pakënaqësive të përhershme ndaj përzgjedhjes së kuadrove në pozita të caktuara publike apo shtetërore? Meritokracia, megjithatë, është një çështje subjektive përderisa nuk është qartë e definuar se çfarë merret si meritë. Nëse rezultati zgjedhor në një zonë të caktuar përcakton fuqinë e një zyrtari partiak për të emëruar apo shkarkuar funksionarë, atëherë këtu nuk kemi të bëjmë me mërit-sistemin e njohur në demokracitë perëndimore. Partia politike bart një ide që kërkon legjitimitet në zgjedhje demokratike për ta zbatuar nëpërmjet mekanizmave të pushtetit ekzekutiv. Nuk duhet parë zgjedhjet si aktivitet biznesi apo subjekti politik si shoqatë aksionare, që në fund në mënyrë proporcionale të ndahet fitimi në formën e posteve.

Dy janë “pikat e nxehta” që në shoqërinë tonë shfaqen si “fruth” i përhershëm demokratik: e para ka të bëjë me mungesën e një sistemi apo metodologjie në përzgjedhjen e funksionarëve qeverisës dhe e dyta – me mungesën e një kufizimi apo limitimi të mandateve në parti apo në sistemin shtetëror.

Limitimi i mandateve të funksionarëve është një formë e njohur që kanë vendet zhvilluara, si preventivë nga rrëshqitja e mundshme pushtetarëve demokratë në “akullin diktatorial”. Edhe Maqedonia e Veriut ka limite në funksione, por vetëm për presidentin e vendit. Ai ka të drejtë të kandidojë dhe të zgjidhet vetëm dy herë në atë pozicion, pra 5+5. Por, funksionet tjera janë të pakufizuara, duke filluar nga ai i kryeministrit, zv/kryeministrit, ministrit, sekretarit shtetëror, zv/ministrit, deputetit, kryetarit të komunës, këshilltarit dhe të gjitha funksioneve tjera që burojnë nga zgjedhjet apo nga Parlamenti, këshilli komunal apo këshillave në gjyqësor. Me ndryshimin e fundit të Ligjit, u kufizua në një mandate edhe e drejta e kandidimit për anëtar të Komisionit Shtetëror për Antikorrupsion.

Në fakt, përveç kryetarit të shtetit dhe të komunës, në Maqedoninë e Veriut asnjë funksionar nuk është i zgjedhur në zgjedhje të drejtpërdrejta, që do t’i jepte të drejtë të rikandidojë më shumë se dy mandate. Përderisa nuk votohet për lista të hapura, as deputetët nuk mund të thirren në një legjitimitet të marrë drejtpërdrejtë nga qytetari.

Të pakufizuar janë edhe mandatet e funksioneve brenda partive politike, të cilat burojnë nga zgjedhjet që organizohen në kuadër të këtyre entiteteve të skenës politike.

Muaj më parë VMRO-DPMNE ndryshoi statutin e saj, me të cilin e kufizon kryetarin e partisë, kryetarët e degëve dhe organeve tjera partiake në dy mandate me nga 4 vjet. Mandati i tretë dhe i fundit mund të fitohet vetëm nëse për këtë votojnë më shumë se dy të tretat e delegatëve. Me statutin e ri partia e Hristijan Mickovskit kufizon në dy mandate edhe funksionet tjera brenda partisë dhe në institucionet publike e shtetërore. Madje, kufizon përqendrimin e më shumë funksioneve të një person, që do të thotë se një person nuk mund të jetë në të njëjtën kohë funksionar i më shumë se një institucioni.

Që nga formimi i saj në vitin 2013, Aleanca për Shqiptarët (ASH) e kufizoi kohëzgjatjen e liderit të partisë në vetëm dy mandate. Një limitim i ngjashëm nuk u zbatua edhe për funksionet tjera në parti, apo për funksionarët që ka në institucione shtetërore. Nëse statuti i ASH mbetet i pandryshuar, lideri aktual Ziadin Sela duhet të japë dorëheqje të parevokueshme në vitin e ardhshëm, kur kjo parti pritet të mbajë kongresin e radhës.

Nuk e di nëse duhet të jetë kategori ligjore, por kufizimi i mandateve për funksionarët publikë, shtetërore apo partiakë mund të jenë një ilaç i mirë për problemet që burojnë nga keqkuptimi dhe keqzbatimi i demokracisë. Një mandat zakonisht nevojitet për të filluar dhe shtyrë përpara projektet e premtuara nga programi, kurse mandati i dytë për përfundimin e të njëjtave. Çdo kohë më tepër nga kjo, për ambientin tonë demokratik, do të thotë rritje e rrezikut për humbje të efikasitetit dhe për keqpërdorime me qëllim të përfitimit personal.

Kufizimi në dy mandate i funksioneve që nuk dalin nga zgjedhjet e drejtpërdrejta, hartimi dhe miratimi i metodologjive të përzgjedhjes së funksionarëve, ku vendbanimi nuk do të jetë parakusht kryesor, dhe përpilimi i një liste kadrovike me profile të të gjithë anëtarëve të partisë, do të ishte një hap i rëndësishëm drejt parandalimit të përçarjeve partiake që mbajnë të fragmentarizuar skenën politike në vend. Njëkohësisht do të siguronte hapësirë për më shumë kuadro nga gjenerata të ndryshme brenda partive që të dëshmohen në funksione të ndryshme publike e shtetërore.

VINI RE: Ky material është pronë intelektuale e Kdpolitik

*Shënim: Hashtag.al ka nisur një bashkëpunim mediatik ndërshqiptar me medien Kdpolitik.com me qendër në Maqedoninë e Veriut. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është shkëmbimi i përvojave dhe i shkrimeve për një këndvështrim ndryshe të çështjeve që prekin e shqetësojnë shqiptarët.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *