Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike ka reaguar ndaj zv.kryeministrit Erion Braçe pasi ky i fundit i kërkonte që të nxirrnin qoftë edhe një mbështetës PD-së punonjës të administratës që është shantazhuar nga PS-ja për votën.
Në reagimin e tij Gazment Bardhi i drejtohet Braçes të mos fyejë shqiptarët pasi ata e kanë parë që PS-ja në dosjet 184 dhe 339 shantazhojnë administratën.
Bardhi i ka qëndruar versionit të tij se formulari i publikuar nga ai ku pretendon se është shpërndarë nga titullarët e institucioneve në drejtim të punonjësve për të mbledhur sa më shumë vota.
Më tej numri dy i PD-së thotë se presioni ndaj administratës është vepër penale dhe ka kërkuar nisjen e hetimit për të zbuluar kupolën e PS-së të përfshirë në këtë situatë ku sipas tij është shkelur ligji.
Reagimi i plotë:
Erion Braçe të mos fyejë shqiptarët, se nuk i hanë më mashtrimet bajate! Ata i kanë parë erionbraçet e PS në dosjen 184 dhe 339 duke shantazhuar administratën dhe mësuesit për të votuar PS. Formulari është shpërndarë nga PS dhe këtë Erion Braçe e di shumë mirë. Po aq mirë e dinë punonjësit e ndershëm të administratës publike që sot ndjejnë mbi kurriz presionin e bandës në pushtet.
Presioni ndaj administratës për të favorizuar në zgjedhje partinë në pushtet, është vepër penale. Erjon Braçe dhe kushdo tjetër bën mirë ta mësojë këtë! PD është e vendosur të përballë këdo me ligjin për çdo shkelje.
Një hetim serioz, duhet të nisë që tani, për të zbuluar kupolën e PS, të përfshirë në shkelje ligji, jo vetëm me presionin ndaj administratës, por edhe për pazaret e dëshpëruara me bandat! Dhe meqë jemi tek pazaret me bandat: Erion Braçe bën mirë të flasë për firmën e tij në projektin e rikthimit të kumarit në rrugët dhe kullat qendrore të Tiranës.