Vendosni fjalën kyçe....

Flet mes lotësh babai i 10-vjeçarit që humbi jetën në Kakavijë: Djali u çua në ambulancë pa oksigjen, e mbante gruaja


Flet mes lotësh babai i 10-vjeçarit, i cili humbi jetën në mënyrë tragjike në datën 15 gusht pasi u përplas nga një autoambulancë ndërsa priste me familjarët e tij në radhët kilometrike për të kaluar Kakavijën.

Nik Ndoi thotë për emisionin “Me Zemër të Hapur” se djali i tij nuk ka qenë duke kaluar në anën tjetër të rrugës, sikurse është raportuar.

Por se ka qenë duke qëndruar në këmbë përbri makinës së babait të tij dhe autoambulanca ka qenë me shpejtësi. Zoti Ndoi thotë së ambulanca e ka hedhur djalin e tij 30 metra, më pas e ka shtypur me të dyja rrotat.

“Mbaj mend që çuni ishte përbri makinës dhe vinte një ambulance me shpejtësi të madhe. Kur e kam parë ambulancën ishte shumë larg, ishte aq me shpejtësi saqë nuk arrita t’i thërrisja dot çunit që mos lëvizte. Pasi e goditi dhe e hodhi 30 metra, e shtypi me të dyja rrotat e krahut të majtë.

Çuni kishte dalë nga makina dhe po rrinte. Ai ka qenë në vijën ndarëse të rrugës. Çdo gjë e kemi parë me sytë tanë.”– tregon babai mes lotësh.

Ai këmbëngul më pas gjatë intervistës, se djali s’ka qenë duke kaluar në anën tjetër.

Por akoma më të rëndë e bën ngjarjen, gjendja në autoambulancën tjetër, e cila dërgoi djalin e tij në spital:“Në ambulancën që e kanë çuar çunin, nuk kishte asnjë gjë, asnjë mjek, as oksigjen. Nuk ka marrë asnjë lloj ndihme të shpejtë. Gruaja që ishte e vetmja që e shoqëroi, e mbante. Ajo thotë se djali ishte gjallë.”

Babai i 10-vjeçarit beson se autoambulanca nuk ka qenë duke transportuar një të sëmurë, por nuk ka si ta vërtetojë këtë kur s’e ka parë me sytë e tij.

“Thonë se nuk kishte njeri në ambulancë. Unë nuk e vërtetoj dot këtë. Thoshin që ambulanca merret njerëz dhe i çonte në doganë. Ka edhe video që policia ia merrte makinën dhe ja çonte në doganë. Unë nuk i kam parë me sytë e mi nëse kishte apo nuk kishte njeri brenda në ambulancë.”- ka deklaruar zotëria. Ndoi thotë se nga dita e ngjarjes, gruaja e tij ka mbetur e traumatizuar dhe akoma nuk e ka marrë veten.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *