Vendosni fjalën kyçe....

Historia e pabesueshme – Si mashtroi gjithë Amerikën e mbijetuara e rreme e 11 shtatorit


Tania Head me ish-kryebashkiakun e New York-ut Rudolph Giuliani, ish-guvernatorin George Pataki dhe ish-kryebashkiakun Michael Bloomberg

Historia e Tania Head ishte një nga historitë më tragjike dhe më frymëzuese që doli nga sulmet e 11 shtatorit në SHBA.

Pretendimet e Head: Kjo grua tregonte se në momentin kur ndodhi sulmi, ishte në kullën e jugut. Tregonte se një burrë që po vdiste, i dha asaj një unazë martese që t’ja jepte gruas së tij. Thotë se ishte shpëtuar nga i famshmi Welles Crowther që humbi jetën duke shpëtuar të tjerët dhe se u zgjua gjashtë ditë më vonë në spital. Atje madje zbuloi që bashkëshorti i kishte vdekur në kullën veriore.

Por asnjëra nga këto nuk paskësh qenë e vërtetë, madje as emri i saj.

Head u bë imazhi i lëvizjes së të mbijetuarve të 11 shtatorit, duke treguar historinë e saj për mediat, por asnjë fjalë e saj nuk ishte e vërtetë.

“Emri i saj i vërtetë nuk ishte fare as Tania Head” – thotë autori dhe regjisori i dokumentarëve, Angelo Guglielmo. “Ajo në të vërtetë nuk kishte qenë as në Shtetet e Bashkuara më 11 shtator.”

Madje ai shton se ajo mund të mos jetë takuar kurrë me burrin që pretendonte se ishte partneri i saj, i cili humbi jetën në sulmin e 11 shtatorit.

Guglielmo është bashkëautor i një libri të ri me titull “Gruaja që nuk ishte atje: Historia e vërtetë e një mashtrimi të pabesueshëm”.

Ai u bë mik me gruan që e quante veten Tania Head, pasi ishte ajo që e shtyu atë të bënte një dokumentar për të mbijetuarit.

Dhe kjo ishte e veçanta e gruas që e quan veten Tania, historia e saj ishte një mashtrim që u shkaktoi dhimbje njerëzve në jetën e saj. Por nga ana tjetër shumë njerëz mendojnë se ajo në të vërtetë ka bërë një vepër të mirë për të mbijetuarit.

“Të mbijetuarit vazhdojnë të thonë se një meritë të shërimit të tyre e ka dhe Tania, e cila i ndihmoi ata të njiheshin.” – thotë Robin Gaby Fisher, e cila shkroi librin me Guglielmo-n.

Emri i vërtetë i Head doli të jetë Alicia Esteve Head. Ajo vinte nga një familje e pasur spanjolle dhe më 11 Shtator të vitit 2001, ajo kishte qenë në Barcelonë për studime pasuniversitare.

Guglielmo thotë se shkoi ta takonte atë në banesë, ditën kur do të dilte artikulli i Times që do e ekspozonte atë.

“Doja t’i jepja një mundësi tjetër për të treguar anën e saj të historisë”– thotë ai.
Ajo i tha se një ditë do e tregonte të vërtetën, por jo atë ditë. Por ajo s’e bëri kurrë këtë dhe askush nuk e di se ku po jeton ajo sot.

Fisher thotë se Head kurrë nuk merrte para nga njerëzit që po mashtronte me historinë e saj, përkundrazi. Ajo i kishte dhënë para rrjetit të të mbijetuarve.

Për këtë arsye Fisher beson se të gjithë këtë, Head e bëri për vëmendje dhe në fakt e mori atë.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e NPR / Përshtati në shqip Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *