Ish-drejtori i Parkut Arkeologjik të Butrintit, Auron Tare, në një intervistë për Ora News ka folur për dhënien me koncesion me të këtij parku për një periudhë 10-vjeçare një fondacioni të huaj.
Tare kundërshtoi planin për dhënien me koncesion duke thënë se nuk ka asnjë model në Evropë të këtij lloji.
Ai përsëriti se është e rrezikshme të japësh me koncesion trashëgiminë kulturore.
”Unë mendoj se situata të paktën 10-vjeçarin e fundit në Butrint, lë për të dëshiruar në mënyrën e menaxhimit, të parkut në tërësi në koncept, por edhe ato që u bënë dikur, siç ishin ekspeditat arkeologjike, me partnerë të huaj apo dhe me shqiptarë. Shkolla e restaurimit, e cila pak a shumë nuk është më. Janë një sërë gjërash që nuk janë më në Butrint, kanë humbur, janë zhbërë. Megjithatë, do thosha që me gjithë situatën që ka trashëgimia kulturore shqiptare në Shqipëri, Butrinti i rezistoi të gjitha kërcënimeve apo zhvillimeve turistike të zonës.
Butrinti ka nevojë për përmirësim, ka nevojë për administrim, për koncept. Por, në asnjë mënyrë nuk mund t’u jepet të huajve për menaxhim. Së bashku me profesor Neritan Cekën kur kemi qenë bashkë në një debat, ne renditëm një seri arsyesh pse nuk mund t’i jepet një fondacioni privat. Nëse do ndodhë, atëherë ne do kemi për shembull, një fondacion grek që mund të marrë Tepelenën, një fondacion turk që mund të marrë Krujën. Nëse ka nevojë për PPP në fusha të ndryshme , në trashëgiminë kulturore është e rrezikshme për disa arsye, por më kryesore është identiteti, nuk mund t’u jepet të huajve. Por, nuk kemi model tjetër në Evropë. Duhet të jetë një bërthamë shqiptare, nuk mund t’ia dorëzosh trashëgiminë tënde kulturore një kompanie të huaj.”-deklaroi Tare.
Ministria e Kulturës ka hartuar një “Plan për Menaxhimin e Integruar (2020-2030) për Parkun e Butrintit dhe është financuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe është përgatitur nga kompania “Prince +Pearce”.
Në këtë dokument të publikuar në shtator 2019 rekomandohet që të krijohet një organizatë e re dhe mund të njohët si “Fondacion” dhe të jetë me statusin “jofitimprurës”.
“Fondacioni i Ri”, rekomandohet, në dokument, që të krijohet midis Partnerit Strategjik dhe Qeverisë Shqiptare dhe do menaxhojë Parkun e Butrintit.