Policia ka dhënë detaje për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e sotme në kryeqytet ku ka mbetur i plagosur me armë zjarri një 30-vjeçar.
Policia thotë se ka identifikuar autorin e dyshuar të ngjarjes dhe është shtetasi me iniciale K.C.
Ky shtetas dyshohet se ka plagosur shtetasin me iniciale R.Xh me armë zjarri në këmbë.
I plagosuri është dërguar në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i plotë:
Policia identifikon autorin e dyshuar të plagosjes me armë të 30-vjeçarit.
Vijon krehja e zonës për kapjen e tij.
Më datë 11.09.2020, rreth orës 21:26, në fund të rrugës “5 Maji”, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, dyshohet se shtetasi me iniciale K. C, ka plagosur me armë zjarri pistoletë në këmbë shtetasin R.Xh., 30 vjeç, i cili u dërgua në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta kanë bërë identifikimin e autorit të dyshuar.
Policia ka rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj për kapjen e autorit, i cili menjeherë pas plagosjes është larguar nga vendngjarja .