Policia e Pogradecit ka vënë në pranga një 46-vjeçar nga fshati Vërdovë në Pogradec, i cili akuzohet se ka abuzuar seksualisht me një vajzë 14-vjeçare.
I arrestuari quhet Blerim Bizgjoni, me arsim 8 vjeçar dhe i martuar. Denoncimin e ka bërë vetë e mitura, e cila pretendon se Bizgjoni ka abuzuar me të për me shumë se dy muaj.
“Në datë 11.09.2020 rreth orës 20:30 pranë komisariatit të policisë së Pogradecit është paraqitur shtetasja A.Q e cila ka bërë ankim se shtetasi Blerim Bizgjoni ka kryer marrëdhënie seksuale me të që nga fillimi i muajit gusht në mënyrë të përsëritur.
Kjo vajzë është e mitur pa bërë 14 vjeç akoma. Pas procedurave është bërë shoqërimi në komisariat i shtetasit Blerim Bizgjoni, ai ka pranuar veprën penale dhe më pas u bë arrestimi i tij në flagrancë për veprën penale ‘Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur’.”– thuhet në njoftimin e policisë.
Minorenia ka dëshmuar se me familjen e Blerim Bizgjonit kishin lidhje krushqie. Report TV ka raportuar disa detaje tronditëse lidhur me ngjarjen, ku mësohet se 46-vjeçari e ka përdhunuar ditën e Bajramit dhe e ka kërcënuar që të mos tregonte asgjë rreth kësaj ngjarje.
Vajza vjen nga një familje e varfër, i ati vuan nga probleme të karakterit mendor, ndërsa e ëma është pa punë.
Dy familjet kishin lidhje krushqie dhe 46-vjeçari e ka marrë vajzën që në 30 korrik në shtëpinë e tij, me pretendimin se do kujdesej dhe do e mbronte, por nuk ndodhi kështu.
Gazeta Panorama shkruan se 46-vjeçari e kishte marrë dy-tri herë të atin e vajzës në punë dhe pasi ishin njohur mirë i kishte thënë prindërve të saj, që vajza e tyre mund të qëndronte të shtëpia e tij meqë kishte vajzën e vet thuajse moshatare.
Me kalimin e kohës e kishte ngacmuar me fjalë e më vonë kishte nisur ta prekte në vendet intime. Ditën e Kurban Bajramit e kishte nxjerrë të miturën në ballkon dhe i kishte kërkuar të kryenin marrëdhënie seksuale e më pas e ka kërcënuar të mos tregojë.
Ai e ka mbajtur vajzën me forcë prej 2 muajsh, ku e ka përdhunuar sistematikisht. Vetëm 2 ditë më parë vajza ka mundur të takojë oficerin e zonës duke bërë denoncimin.