Që prej fitores së presidentit amerikan Donald Trump në zgjedhjet e vitit 2016, kanë qenë të shumta grupimet që e kanë kundërshtuar këtë gjë dhe kanë bërë fushatë të hapur kundër tij.
Një nga grupimet më të zëshme dhe me jo pak ndikim është ai i aktorëve të Hollivudit dhe këngëtarëve.
Emrat e artistëve që janë shprehur kundër Donald Trump-it duke e kritikuar e sharë në vijimësi janë pjesë e një liste të gjatë.
Ndër më të njohurit e të zëshmit janë Robert de Niro, Barbra Streisand, John Leguizamo, Meryl Streep, Jim Carrey, Cher, Alec Baldwin, George Clooney, Lady Gaga, Olivia Wilde, Madonna, Mark Ruffalo, Ben Stiller, Samuel L. Jackson, Shakira, Richard Gere, etj etj.
Lista është shumë më e gjatë, por emrat e lartpërmendur janë ndër më të njohurit për publikun.
Botimi i librit të fundit nga Bob Woodward, ‘Rage’, ka bërë që ata të rikthehen fuqishëm në media e rrjetet sociale duke kërkuar dorëheqjen e presidentit.
Sipas tyre, duke u bazuar të libri i gazetarit, shefi Shtëpisë së Bardhë nuk e mori shumë seriozisht çështjen e koronavirusit.
Libri megjithatë është shtysa më e fundit e aktorëve e këngëtarëve për të kërkuar dorëheqjen dhe gjykimin e Donald Trump-it. Deklarimet e tyre kundër administratës Trump i gjen kudo. Në mediat kryesore amerikane, në rrjetet sociale.
Ndërsa njihen si kundërshtarë të ashpër të Trump, pjesa dërrmuese e tyre e ka shprehur hapur mbështetjen për demokratët.
Ata u kanë bërë thirrje të hapur amerikanëve që të votojnë kundër Donald Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit. Disa prej tyre kanë qenë shumë aktivë në fushatat e mbledhjes së fondeve për të ndihmuar lëvizjen Black Lives Matter, që u shfaq pas vdekjes së afro-amerikanit George Floyd në Minneapolis disa muaj më parë.
Që prej asokohe, SHBA-ja është përfshirë nga protesta të dhunshme, grabitje e përplasje mes lëvizjes Black Lives Matter e organizatës së majtë Antifa me qytetarë e pronarë biznesesh në mbrojtje të pronës së tyre.